
Specialistët e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me Sektorin për Hetimin e Krimeve të Rënda dhe shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, në vijim të punës për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim dhe goditjen e veprimtarive kriminale në fushën e narkotikëve, organizuan dhe finalizuan operacionin policor të koduar “Target”.
Në kuadër të këtij operacioni, bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, u kap dhe u ndalua shtetasi Luçian Mëhilli, 23 vjeç, banues në Shkodër.
Ky shtetas ishte shpallur në kërkim, pasi Gjykata i kishte caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Vrasja me dashje”, e kryer në bashkëpunim, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Shtetasi Luçian Mëhilli dyshohet se, në bashkëpunim me disa shtetas të tjerë, ka vrarë shtetasin Valter Fierza, më datë 21 shtator 2023, në fshatin Hot i Ri.
Gjithashtu, u arrestua në flagrancë shtetasi Kristjan Çarkaj, 26 vjeç, banues në Shkodër, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Përkrahja e autorit të krimit”.




