I kërkuar për vrasje dhe trafik droge, kapet në Shkodër 23-vjeçari, në pranga dhe një tjetër

Aktualitet | 7 minuta më parë

Operacioni policor “Target” çon në pranga dy persona. Sekuestrohen kokainë, cannabis, një automjet dhe dy telefona celularë. Policia e Shkodrës ka finalizuar operacionin e koduar “Target”, duke kapur një 23-vjeçar të shpallur në kërkim, i dyshuar si bashkautor në vrasjen e një shtetasi në vitin 2023, në fshatin Hot i Ri.

Në pranga ka rënë edhe një 26-vjeçar, i cili udhëtonte në të njëjtin automjet me të riun e kërkuar. Ai dyshohet për përkrahje të autorit të krimit dhe përfshirje në veprimtarinë e narkotikëve. Sipas Policisë, i ndaluari me inicialet L. M., 23 vjeç, banues në Shkodër, ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata kishte caktuar ndaj tij masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale “Vrasja me dashje”, kryer në bashkëpunim, “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve” dhe “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

Ai dyshohet se, në bashkëpunim me persona të tjerë, ka vrarë shtetasin V. F., më 21 shtator 2023, në fshatin Hot i Ri. Ndërkohë, 26-vjeçari K. Ç. u arrestua në flagrancë për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve” dhe “Përkrahja e autorit të krimit”.

Dy të rinjtë u kapën në aksin rrugor Shkodër–Prekal, ndërsa udhëtonin me një automjet tip “Opel”. Gjatë kontrollit fizik dhe kontrollit të banesës së 23-vjeçarit, policia gjeti sasi të dyshuara të lëndëve narkotike cannabis sativa dhe kokainë. Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan lëndët e dyshuara narkotike, automjeti dhe dy telefona celularë.

/rtsh.al/


Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.

Komentet 0

Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.

Të ngjashme