Gazetari Bledian Koka, i ftuar në emisionin “Kafe Shqeto” në SYRI TV me Flavio Qarrin, deklaroi se Asambleja e PS-së nxori në pah dobësinë dhe pafuqinë e Edi Ramës për të menaxhuar presionin e brendshëm në parti.
Sipas Kokës, vendimi ndaj Elisa Spiropalit ishte joproporcional, i vonuar dhe krijoi përshtypjen e një vendimmarrjeje të diktuar nga faktorë të tjerë dhe jo nga vetë Rama.
Koka u ndal edhe te paqartësitë dhe kaosi në vendimmarrjen për Spiropalin dhe Plarent Ndrecën, duke theksuar se mbetet për t'u parë nëse Elisa Spiropali do të përjashtohet përfundimisht edhe nga Grupi Parlamentar i PS-së.
Ai ngriti gjithashtu pikëpyetje mbi përputhshmërinë e këtij vendimi me statutin e PS-së, duke kujtuar dispozitën që, sipas tij, mbron nga përjashtimi drejtuesit që kanë mbajtur poste të larta shtetërore.
Koka: Kjo asamble shërbeu për të treguar dobësitë dhe pafuqinë e Edi Ramës për herë të parë. Nxori në pah pafuqinë për të menaxhuar presionin e brendshëm, për sa i takon rastit të zonjës Spiropali. Rasti i Spiropalit ishte jashtë kohe dhe shporporcional. Spiropali kishte mbajtur qëndrime më të forta për të cilat mund të ishte marrë masë më herët kur bëri 2-3 deklarata e para të cilat ishin më vibrante sesa të shtunën. Vendimi që mori ndaj Spiropalit të shtunën ishte vendim shporporcional i një njeriu që nuk fotografonte momentin e vendimarrjes por dukej sikur ishte një vendim i diktuar nga një njeri tjetër dhe jo nga dëshira e Edi Ramës për ta bërë.
Për ta parë sa serioze ishte vendimarrja e ditës së shtunë, duhet parë sot në mbledhjen e grupit të socialistëve, nëse do të ketë edhe përjashtim të Elisa Spiropalit nga Grupi Parlamentar i PS dhe kjo mendoj se do të hapte një panoramë të re për zhvillimet brenda PS dhe për të kuptuar se sa serioze ishte vendimarrja e ditës së shtunë.
Nëse shkohet drejt përjashtimit përfundimtar të Elisa Spiropalit mendoj se këtu kemi një zhvillim të ri. Edhe ditën e shtunë vendimarrja për përjashtimin e Elisa Spiropalit dhe Plarent Ndrecës ishte kaotike, fillimisht u tha se ata nuk janë më pjesë e grupit, ku u pyetën a pati votim ata thanë që nuk ka pasur, por më pas Sekretari i Përgjithshëm u detyrua të saktësonte që po vendimarrja është marrë por sërish deri në këto momente duhet parë kujdes se çfarë ka ndodhur.
Statuti i PS ka një nen aty që e përjashton mundësinë e përjashtimit të atyre që kanë pasur poste të larta qeveritare siç është rasti i Kryetarit të Kuvendit. Pra Kryetari i Kuvendit është i papërjashtueshëm nga institucionet partiake për asnjë lloj arsye dhe kjo në rastin e Spiropalit duhet analizuar me kujdes.
© SYRI.net