
Ministria e Punëve të Brendshme e Indisë ka njoftuar se fushat e detyrueshme për të gjitha vizat do të reduktohen me 65 deri në 70 për qind, në varësi të kategorisë. Lajmi pritet të lehtësojë procesin për të huajt që duan të vizitojnë vendin, përfshirë ata që synojnë të shohin Taxh Mahalin.
Bëhet fjalë për një hap drejt thjeshtimit të vizave të Indisë, që prek të gjitha kategoritë e vizave dhe formularin e aplikimit për vizë. Kategoritë kryesore të vizave ulen nga 13 në nëntë, sipas njoftimit të ministrisë. Detajet e sakta mbi fushat që do të hiqen nga formularët nuk janë bërë ende publike.
Formularët e përditësuar pritet të prezantohen brenda fundit të vitit. Sipas ministrisë, ndryshimi do të “reduktojë kohën dhe përpjekjet e nevojshme për të plotësuar aplikimin nga aplikanti”. Ai do të “rrisë efikasitetin administrativ duke lehtësuar shqyrtimin dhe përpunimin më të fokusuar”.
Procesi aktual i aplikimit për vizë indiane është i gjatë dhe i rëndë. Formularët kërkojnë të dhëna si shtetësia e nënës dhe e babait, si dhe shtetësia e mëparshme e tyre. Aplikantët duhet të listojnë gjithashtu çdo vend që kanë vizituar në 10 vitet e fundit.
Kjo rubrikë është e kufizuar në 250 karaktere, çka sipas materialit nuk u lejon atyre që udhëtojnë shpesh t’i shënojnë të gjitha. Formulari kërkon edhe një referencë në Indi.
