Lajmi i fundit

LIVE/ Kryetari i PD, Prof. Dr. Sali Berisha, deklaratë për media pas daljes nga SPAK

Luiza Gega: Shpenzimet për të qenë sportiste elitare tejkalojnë çmimet që fitojmë nga garat

Luiza Gega: Shpenzimet për të qenë sportiste elitare tejkalojnë çmimet që fitojmë nga garat

10:14, 16/11/2026

Çmimi i Maratonës së Tiranës duket se është kthyer në një traditë për kampionen shqiptare Luiza Gega, e cila e fiton këtë garë për të disatën herë. Në një lidhje të drejtpërdrejtë me gazetarin Flavio Qarri, në emisionin “Kafe Shqeto”, atletja ka folur për sakrificat dhe kostot financiare që kërkon të jesh një sportiste e nivelit të lartë, duke theksuar se shpërblimet nga garat nuk i mbulojnë shpenzimet.

“Ka një kosto shumë të lartë për të qenë sportist, pa llogaritur vetëm atletet, ushqimin, suplementet apo fizioterapinë. Vetëm shpenzimet për këto i tejkalojnë ato që mund të fitosh”, u shpreh Gega.

Duke folur për konkurrencën në Maratonën e Tiranës, ajo theksoi se në vitet e kaluara niveli ka qenë më i lartë, veçanërisht për shkak të pjesëmarrjes së sportistëve elitarë nga vende si Kenia.

“Këtë vit, me sa duket, situata e muajve të fundit i ka frikësuar disi. Megjithatë, unë jam gjithmonë ngjitur në podium, sepse kam një nivel të lartë. Këtë herë realizova një kohë shumë të mirë, edhe pse garova e vetme, pa konkurrente. Kalova vijën e finishit edhe më shpejt se djemtë, pra dola e para në të dyja kategoritë”, deklaroi kampionia shqiptare.

Gega vuri në dukje edhe rritjen e interesit për vrapimin në Shqipëri, duke theksuar se gjithnjë e më shumë njerëz po provojnë të përshkojnë distanca të gjata dhe synojnë të përmirësojnë rezultatet e tyre.

“Është rritur komuniteti i njerëzve që vrapojnë. Çdo vit e më shumë kanë dëshirë të provojnë distanca të gjata. Nëse e arrin një distancë për herë të parë, më pas ke dëshirë të përmirësosh kohën. Njerëzit po e kuptojnë se nuk është e domosdoshme të dalësh i pari apo të bësh garë me shokun. Me mua është pak e vështirë të bësh garë”, tha ajo me humor.

Sipas Gegës, popullariteti i maratonave në mbarë botën lidhet edhe me mundësinë që çdo pjesëmarrës të masë progresin e tij dhe të përpiqet të përmirësojë rezultatet nga viti në vit.

Në përfundim, kampionia shqiptare theksoi se kënaqësia që të jep sporti dhe arritja e objektivave personale është shumë më e madhe se shpërblimi financiar.

“Kënaqësia që merr është më e madhe se vlera monetare e çmimit”, përfundoi Luiza Gega.

© SYRI.net

Lexo edhe:

Bëje LIKE dhe merr lajmin e fundit nga Sporti:

Komentet

Shto koment

Denonco