Reshje shiu në gjithë vendin, meteorologia Porja: Të mërkurën dhe të premten priten rrebeshe

16 Nëntor 2026 | 09:48

“Java që sapo ka nisur do të karakterizohet nga mot i ngrohtë, por i lagësht, me reshje shiu në pothuajse të gjithë territorin e Shqipërisë”. E ftuar në emisionin “Now” me Esmeralda Mulajn në Euronews Albania, meteorologia e Meteoalb, Lajda Porja, parashikoi se reshjet do të jenë të pranishme gjatë gjithë javës, ndërsa më të dendura pritet të jenë në zonat veriore dhe veriperëndimore të vendit.

Sipas Porjas, ditët më problematike për sa i përket reshjeve do të jenë e mërkura dhe e premtja, kur në disa zona priten rrebeshe me intensitet mesatar dhe lokalisht të lartë. Meteorologia paralajmëroi se për shkak të intensitetit të lartë të reshjeve në intervale të shkurtra kohore, zonat veriore mund të përballen edhe me përmbytje të përkohshme.

“Rrezikohen zonat veriore, sepse të gjitha reshjet janë të fokusuara kryesisht në veri dhe veriperëndim. Do të ketë momente kur, për 40 minuta apo një orë, reshjet mund të kenë intensitet të lartë. Kur kemi rrebeshe të tilla në një kohë të shkurtër, patjetër që presim edhe përmbytje, të cilat do të jenë të përkohshme dhe kryesisht në veri”, u shpreh Porja.

Ajo përmendi si zona që mund të preken Shkodrën, Lezhën, Pukën, Kukësin, zonat e izoluara të Bajram Currit dhe territoret në veri të Shkodrës. Sipas saj, nuk përjashtohen probleme edhe në zona urbane apo lagje të caktuara të këtyre qyteteve, ndërsa qendra dhe jugu i vendit pritet të kenë më pak reshje.

Sa i përket temperaturave, Porja theksoi se ato do të mbeten relativisht të larta për këtë periudhë të vitit. Pas vlerës prej 23 gradësh Celsius që pritet sot, termometri do të ngjitet në 24-25 gradë gjatë pjesës tjetër të javës, me luhatje të lehta nga njëra ditë në tjetrën.

Meteorologia bëri të ditur gjithashtu se era do të jetë një tjetër element problematik, veçanërisht të mërkurën dhe të premten. Ditën e mërkurë, shpejtësia e saj mund të arrijë deri në 70 kilometra në orë, duke shkaktuar dallgëzim të lartë në brigjet detare, kryesisht në jugperëndim të Shqipërisë. Era e fortë pritet të vijojë edhe të premten dhe pjesërisht të shtunën.

Moti në rajon

Edhe vendet e rajonit do të përfshihen nga reshjet, me intensitet më të lartë në Mal të Zi, Kroaci dhe Kosovë.

Sipas Porjas, Kosova do të ketë reshje me intensitet të ulët dhe mesatar në pjesën e parë të javës, ndërsa të mërkurën, të premten dhe të shtunën priten reshje më të dendura dhe rrebeshe. Temperaturat do të arrijnë deri në 16-17 gradë Celsius, ndërsa reshjet do të jenë kryesisht në formën e shiut dhe nuk parashikohen reshje dëbore.

Ndërkohë, Maqedonia e Veriut pritet të ketë më pak reshje, kryesisht në zonat kufitare me Shqipërinë, ku mund të ketë shira të izoluar me intensitet të ulët. Në pjesën tjetër të territorit, moti do të jetë kryesisht pa reshje, ndërsa temperaturat në Shkup mund të arrijnë deri në 18 gradë Celsius.

Porja shpjegoi se moti i ngrohtë dhe i lagësht në rajon lidhet me një masë ajrore që vjen nga jugperëndimi i Europës dhe që do të vijojë të ndikojë në Ballkan edhe gjatë ditëve në vijim.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Shpërthimi i dytë në 14 ditë, tritol dyqanit të luleve në Tufinë

Një tjetër shpërthim i dyshuar me lëndë plasëse është regjistruar në zonën e Tufinës, në Tiranë, në një dyqan lulesh në pronësi të shtetasit A....
10:25 | 16/11/2026

GJKKO rrëzon kërkesën e Adriatik Llallës për parashkrimin e dënimit me 2 vite burg

Gjykata e Posaçme rrëzoi kërkesën e ish-Prokurorit të Përgjithshëm, Adriatik Llalla, për parashkrimin e dënimit me dy vite burg, të dhënë ndaj tij për veprat...
09:29 | 16/11/2026

Vrasja e Valter Fjerzës në Hot të Ri, arrestohet pas tre vitesh një nga të dyshuarit si bashkautor

Policia e Shkodrës ka finalizuar operacionin e koduar “Target”, duke kapur një prej personave të shpallur në kërkim për vrasjen e 33-vjeçarit Valter Fjerza, ngjarje...
09:12 | 16/11/2026