Një përleshje e dhunshme mes të burgosurve ka ndodhur ditën e djeshme në ambientet e Institucionit të Ekzekutimit të Vendimeve Penale (IEVP) në Durrës, duke përfunduar me plagosjen e njërit prej tyre.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur më 15 nëntor ku pas një konflikti të çastit, i burgosuri Muharrem Bugjisha ka nxjerrë një mjet prerës të improvizuar si thikë dhe ka goditur të dënuarin tjetër, Ilir Biba. Ky i fundit ka marrë lëndime, ndërsa ndërhyrja e stafit ka shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm të sherrit.

Menjëherë pas incidentit, në burg ka zbarkuar Agjencia e Mbikëqyrjes në Sistemin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale (AMSEVP). Agjentët i kanë komunikuar menjëherë në qeli arrestimin në flagrancë për veprën e re penale autorit të dyshuar, duke i hapur kështu një dosje të dytë penale që mund t’i rëndojë vitet e dënimit.

Dosja i ka kaluar tashmë Prokurorisë së Durrësit, ku ai do të përballet me dy akuza të reja: “Plagosja e lehtë me dashje” dhe “Futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve penale”.

Ndërkohë, alarmi është ngritur edhe për sigurinë brenda burgut. AMSEVP ka nisur një hetim të brendshëm për të zbuluar se si ka hyrë mjeti prerës në qeli dhe për të nxjerrë para përgjegjësisë punonjësit e IEVP Durrës që mund të jenë përfshirë në këtë paligjshmëri.

“Në datën 15.11.2026, në IEVP Durrës, nga Agjencia e Mbikëqyrjes në Sistemin e Ekzekutimit të Vendimeve Penale është kryer arrestimi në flagrancë i shtetasit të burgosur M. B., pasi gjatë një konflikti ka goditur me anë të një mjeti prerës shtetasin e burgosur I.B

Nga AMSEVP dërgohen materialet procedurale për veprime të mëtejshme në Prokurorinë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, në ngarkim të shtetasit të burgosur M. B. për veprat penale “Plagosja e lehtë me dashje” dhe “Futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit te vendimeve penale”, të parashikuara nga nenet 89 dhe 324/a të Kodit Penal.

Nga AMSEVP po kryhen verifikimet e mëtejshme për punonjësit e kësaj IEVP-je të përfshirë në paligjshmëri”, thuhet në njoftim.