Komisionerja europiane për Zgjerimin, Marta Kos, deklaroi në Forumin e Zgjerimit të BE-së se Rusia po përpiqet të zhbëjë procesin e 'unifikimit' të bashkimit europian, duke synuar të pengojë zgjerimin e BE-së dhe të dëmtojë vendet kandidate.

Kos theksoi se objektivi kryesor i këtyre përpjekjeve është vetë Bashkimi Europian, ndërsa paralajmëroi se Europa nuk do ta lejojë Rusinë të pengojë procesin.

“Çfarë Europe duam të jetojmë dhe t’u lëmë brezave të ardhshëm? Europa nuk mund t’ia lejojë vetes të qëndrojë në vend, ndërkohë që bota gjeopolitike po ndryshon në mënyrë kaq dramatike. Nëse duam të formësojmë të ardhmen e Europës, a mund t’ia lejojmë vetes të mos e përfundojmë bashkimin e saj? Shikoni rreth kësaj salle. Sot kemi një pjesëmarrje të jashtëzakonshme: presidentë, kryeministra, ambasadorë, ministra, përfaqësues të medias dhe biznesit. Kjo i dërgon një mesazh botës: politika është rikthyer te zgjerimi. Dikur, zgjerimi ishte përgjigjja e Europës ndaj përfundimit të Luftës së Ftohtë dhe ne arritëm të pranonim me sukses 13 shtete të reja anëtare.

Sot, zgjerimi është sërish pjesë e një debati shumë më të gjerë për mënyrën se si do ta formësojmë të ardhmen e Europës, për të garantuar paqen, lirinë dhe mirëqenien për dekadat që vijnë. Këtë e shohim edhe te shpejtësia me të cilën disa vende kandidate po ecin përpara. Vetëm këtë vit kemi arritur më shumë rezultate se në çdo vit tjetër gjatë 25 viteve të fundit. Zgjerimi i sotëm po zhvillohet në një mjedis gjeopolitik shumë më konkurrues. Po përballemi me kundërshtarë që duan të pengojnë procesin dhe të dëmtojnë vendet kandidate, ndërsa objektivi i tyre kryesor jemi ne, Bashkimi Europian. Rusia kërkon të zhbëjë procesin e bashkimit europian dhe përgjigjja jonë është: Nuk do ta lejojmë të ndodhë!”, deklaroi Kos.


Lajmi kryesor:

Forumi i Zgjerimit/ Von der Leyen: Shqipëria, progres drejt anëtarësimit në BE! Kos: Ka armiq që duan të pengojnë integrimin e vendeve kandidate, s’do e lejojmë