"Tentim grusht shteti", Netanyahu akuzohet për përpjekje për manipulimin e zgjedhjeve
Dy liderë të opozitës izraelite kanë akuzuar kryeministrin në detyrë, Benjamin Netanyahu, për një “përpjekje për grusht shteti”, pas raportimeve se zyra e tij kishte tentuar të implikonte anëtarë të një partie arabo-izraelite në akuza të pabazuara, përpara zgjedhjeve të 27 tetorit.
“Sa më shumë detaje dalin në dritë, aq më e qartë bëhet: Kjo nuk ishte një përpjekje për të penguar zgjedhjet. Ishte një përpjekje për grusht shteti”, deklaroi lideri opozitar Yair Lapid.
Sipas televizionit izraelit Channel 12, shefi i kabinetit të Netanyahut, Ido Norden, kishte kontaktuar policinë në prag të zgjedhjeve, duke paraqitur informacione kundër disa anëtarëve të partisë arabo-izraelite Raam.
Informacionet, të cilat dyshohet se vinin nga një ish-punonjës i zyrës së Netanyahut, çuan në arrestimin e tre anëtarëve të kësaj partie.
Megjithatë, ata u liruan pasi policia konstatoi se pretendimet ishin të pabazuara.
Ndërkohë, gazeta izraelite Haaretz raportoi se kreu i shërbimit të sigurisë së brendshme Shin Bet, David Zini, kishte kërkuar përgjimin e drejtuesve të një partie tjetër arabe, Joint List.
Kërkesa thuhet se ishte refuzuar nga prokurori i përgjithshëm për mungesë provash.
Lideri i Joint List, Yousef Jabareen, i cilësoi raportimet si një “përpjekje për grusht shteti nga Netanyahu”, duke kërkuar që të gjithë personat përgjegjës të mbajnë përgjegjësi nëse akuzat konfirmohen.
Edhe përfaqësuesi i Raam, Yoav Segalovitz, kërkoi një hetim urgjent, të pavarur dhe gjithëpërfshirës.
Rivali kryesor i Netanyahut, ish-shefi i ushtrisë izraelite Gadi Eisenkot, deklaroi se kryeministri në detyrë “nuk mund të qëndrojë në krye të qeverisë as edhe një minutë më shumë”.
Partia Likud e Netanyahut i ka mohuar akuzat.
Pas zgjedhjeve të tetorit, as blloku i Netanyahut dhe as opozita e udhëhequr nga Eisenkot nuk siguruan 61 vendet e nevojshme për formimin e qeverisë.
Dy partitë arabe, Joint List dhe Raam, kanë sinjalizuar mbështetje për Eisenkot, të cilit presidenti Isaac Herzog i ka besuar mandatin për formimin e qeverisë. /Telegrafi/




























