Forumi i Zgjerimit/ Von der Leyen vlerëson Shqipërinë: Po bën progres mbresëlënës në rrugën drejt BE-së

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka vlerësuar ecurinë e Shqipërisë në procesin e integrimit evropian, duke e cilësuar si një prej vendeve që po shënon progres të rëndësishëm në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Gjatë fjalës së saj në Forumin e II-të të Zgjerimit të BE-së, që po zhvillohet në Bruksel nën temën “Evropë më e gjerë – Evropë më e fortë”, Von der Leyen theksoi se ekziston një moment i ri për zgjerimin e Unionit dhe se Evropa ka përpara një mundësi reale për të mirëpritur anëtarë të rinj.
Duke folur për vendet kandidate, presidentja e Komisionit Evropian u ndal te Shqipëria dhe Mali i Zi, duke theksuar se ky i fundit po i afrohet përfundimit të negociatave të anëtarësimit, ndërsa Shqipëria po bën përparim mbresëlënës.
“Mali i Zi po i afrohet vijës së finishit të negociatave të anëtarësimit. Shqipëria po bën progres mbresëlënës. Si Moldavia, ashtu edhe Ukraina po avancojnë në rrugëtimin e tyre evropian, përballë presioneve të jashtëzakonshme”, deklaroi Von der Leyen.
Ajo nënvizoi se në të gjithë Ballkanin Perëndimor vendet po ndërmarrin hapa të rëndësishëm drejt anëtarësimit, duke theksuar se zgjerimi nuk duhet parë vetëm si një mundësi për vendet që duan të bëhen pjesë e BE-së, por edhe si një përfitim për vetë Unionin.
Sipas saj, vendet e reja anëtare do të kontribuojnë në forcimin ekonomik, sigurinë dhe ndikimin ndërkombëtar të Evropës.
Në fjalën e saj, Von der Leyen u ndal edhe te nevoja për përgatitjen e Bashkimit Evropian për zgjerimin e ardhshëm, duke theksuar se një Union me më shumë anëtarë duhet të ruajë aftësinë për të marrë vendime dhe për të reaguar shpejt ndaj sfidave globale.
Ajo prezantoi gjithashtu qasjen e integrimit gradual, përmes së cilës vendet kandidate mund të përfitojnë më herët nga sektorë të Tregut të Përbashkët Evropian, në këmbim të realizimit të reformave të kërkuara.
“Parimi është i thjeshtë, përparimi në reforma sjell përparim në integrim dhe tregje të reja për të dyja palët”, u shpreh presidentja e Komisionit Evropian.
Në përfundim, Von der Leyen theksoi se zgjerimi i ardhshëm duhet të garantojë respektimin e shtetit të së drejtës dhe të angazhimeve të marra nga vendet anëtare, duke e cilësuar bashkimin e mëtejshëm të familjes evropiane si një mundësi historike që duhet shfrytëzuar.




