Ka mbërritur për herë të parë mëngjesin e sotëm në Sarandë kroçera luksoze EXPLORA II me 729 turistë në bord. Anija erdhi nga Bari i Italisë dhe vijon të qëndrojë e ankoruar në gjirin e Sarandës. Me këtë mbërritje, numri i ndalesave të kroçerave në Sarandë gjatë këtij viti arriti në 32.
Pas ankorimit, turistët nisën të zbarkonin me varkat e anijes. Krahas vizitave në Sarandë, grupe turistësh u nisën drejt Butrintit, Syrit të Kaltër dhe qytetit të gurtë të Gjirokastrës.
Në bord udhëtojnë turistë nga disa kontinente, ndër ta nga Austria, Australia, Belgjika, Kanadaja, Kosta Rika, Gjermania, Peruja, Zimbabveja, Serbia dhe Afrika e Jugut.
EXPLORA II është 248 metra e gjatë dhe ka 461 suita. Ajo u ndërtua në Itali nga Fincantieri dhe iu dorëzua në shtator 2024 kompanisë Explora Journeys, pjesë e grupit MSC.
Sipas itinerarit të operatorit, largimi nga Saranda është planifikuar për në orën 19:00. Pas një dite në det, kroçera pritet të ndalojë në Santorini më 18 nëntor dhe të mbërrijë në portin e Pireut më 19 nëntor. Saranda Web