
Milani merr një lajm shqetësues nga grumbullimet e kombëtareve. Portieri francez Mike Maignan ka pësuar një dëmtim gjatë ndeshjes së Ligës së Kombeve kundër Turqisë, duke ngritur pikëpyetje për gatishmërinë e tij në sfidën e ardhshme të kuqezinjve.
Gardiani 31-vjeçar e nisi takimin si titullar, por nuk mundi ta përfundonte. Pas një shqetësimi në zonën e aduktorit, të shkaktuar pas një përplasjeje në fushë, Maignan u detyrua të largohej në pushimin e pjesëve, duke i lënë vendin Guillaume Restes.
Portieri i Milanit pritet të rikthehet gjatë mbrëmjes në Milano, ndërsa ditën e nesërme do t’i nënshtrohet një rezonance magnetike. Ekzaminimet do të përcaktojnë shkallën e dëmtimit dhe kohën e nevojshme për rikuperimin.
Sipas informacioneve të para, ekziston mundësia që zëvendësimi të jetë bërë vetëm si masë paraprake. Në kampin kuqezi shpresojnë që dëmtimi të mos jetë serioz dhe Maignan të jetë në dispozicion për përballjen e kampionatit ndaj Frosinones në “San Siro”.
Ndërkohë, në Milanello rifillojnë përgatitjet për lojtarët që nuk janë grumbulluar me kombëtaret. Vëmendja do të jetë edhe te Fikayo Tomori dhe Ruben Loftus-Cheek, të cilët do t’u nënshtrohen kontrolleve të specializuara mjekësore në Londër për të vlerësuar ecurinë e rikuperimit.
