“Statuti duhet të jetë më i fortë se kryetari”/ Petro Koçi për Asamblenë: Emërimi i Demos dhe Koçiut lajm i mirë, përjashtimi i Spiropalit i tepërt dhe dëmprurës
Mbledhja e Komisionit për Kulturën dhe Diasporën ka nisur me debate mes kryetares Ina Zhupa dhe deputetëve të mazhorancës, ndonëse në rendin e ditës ishte shqyrtimi i projektligjit “Për Buxhetin e vitit 2027” për Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave.
Shkak për përplasjet u bënë zhvillimet në Asamblenë Kombëtare të Partisë Socialiste, të mbajtur të shtunën në Gjirin e Lalzit. Zhupa e krahasoi mbledhjen e socialistëve me plenumet e dikurshme të Partisë së Punës, duke akuzuar kryeministrin Edi Rama se e ka kthyer PS-në në një parti që i shërben interesave të tij personale.
“Shoh që paskeni ardhur të qeshur pas vakisë që kishit të shtunën. Rikujtova ato që kisha parë nga arkivat, plenumet e partisë. Kishit vazhduar plenumin që kishte lënë mangët pas Kongresit të 10-të Partia e Punës, ku ndryshuat emrin. Vazhduat radhën, i binte plenumi i 17-të ose i 18-të. U bëtë të shtunën në Gjirin e Lalzit, ku udhëheqësi shpalli armiqtë e brendshëm, shpalli se partia është ai”, u shpreh Zhupa.
Kryetarja e komisionit u ndal edhe te debatet brenda PS-së, duke iu referuar ish-kryetares së Kuvendit, Elisa Spiropali. Sipas saj, socialistët nuk po respektojnë as statutin e partisë, pasi ish-kryetarët e Kuvendit janë anëtarë ex officio të Asamblesë.
“Konfirmuam edhe një herë që PS-ja, fatkeqësisht, është kthyer në një zgjatim individual të Edi Ramës. Në vend të interesit të qytetarëve, merret vetëm me interesin e një grupi që rrethon Edi Ramën dhe Edi Ramës vetë…Tani nuk respektoni as statutin e partisë suaj, se me statutin e partisë suaj, ish-kryetarët e Kuvendit janë anëtarë ex officio të Asamblesë. Ndoshta e keni harruar që Elisën e keni pasur kryetare Kuvendi dhe, si e tillë, është anëtare ex officio e Asamblesë. Mirëpo, siç thoshte ai prej të cilit merrni shembull, lideri juaj: ‘Pse ligjet tona do na ndalojnë ne?'”, deklaroi ajo.
Zhupa akuzoi gjithashtu mazhorancën për arrestimin e të rinjve që marrin pjesë në protesta dhe paralajmëroi protestën e opozitës më 18 nëntor.
“Veza nuk është konsideruar si armë, është mjet paqësor i shprehjes së revoltës popullore. Kudo që të shkelni, do të keni protestën që ju ndjek”, tha ajo, ndërsa u bëri thirrje deputetëve socialistë të reagojnë përpara se t’u vijë radha të shkarkohen.
“Ju bëj thirrje, të nderuar kolegë, që të reagoni, të mos jeni në listën e radhës që të shkarkoheni. Reagoni sa nuk ka ardhur radha juaj”, tha Zhupa
Deklaratat e saj sollën reagimin e deputetes socialiste Briseida Çakërri, i cili e akuzoi opozitën se nuk njeh datat historike dhe se mohon Ditën e Çlirimit.
“Jeni ata që mohoni historinë, që nuk njihni datat, se nuk njihni datën e Çlirimit, se sa herë që vini në pushtet, e hiqni datën 29. Nuk mund të flisni ju për armiq të brendshëm e të jashtëm, se kush ka kundërshtuar liderin tuaj, nuk dihet se ku është”, u shpreh ajo.
Çakërri kërkoi që komisioni të përqendrohej te rendi i ditës dhe problemet e qytetarëve, në vend të zhvillimeve të brendshme partiake.
Në kundërpërgjigje, Zhupa theksoi se vendimet e marra në forumet e PS-së ndikojnë drejtpërdrejt në qeverisjen e vendit, pasi kryetari i kësaj partie është edhe kryeministër.
“Nuk më intereson fare. Ju shkon për shtat thënia e Edi Ramës: ‘Hëngshi kokat e njëri-tjetrit’, por më intereson se, fatkeqësisht për Shqipërinë, ai që është kryetar i PS-së është dhe kryeministri. Vendimet që merrni në plenumet e partisë kthehen në vendimmarrje e kosto për gjithë Shqipërinë”, deklaroi Zhupa.
Në debat ndërhyri edhe deputetja socialiste Evis Kushi, e cila i kërkoi kryetares së komisionit të merrej me problemet e Partisë Demokratike dhe jo me zhvillimet e brendshme të socialistëve.
“Mirë bëni që analizoni plenumet e Partisë së Punës, mirë bëni që lexoni edhe statutin e partisë sonë. Mirë është që të merreni me partinë tuaj, të merreni me demokratët, se i keni lënë jetimë, në mes të rrugës”, tha Kushi.
Deputetja socialiste theksoi se mbledhja e komisionit duhet të fokusohej te çështjet e vendit, duke përmendur projektbuxhetin e vitit 2027.
“Këtu, kjo mbledhje nuk është për punët e partive, por për punët e Shqipërisë, për atë që presin shqiptarët. Kemi projektbuxhetin më të madh ndonjëherë, mbi 10 miliardë euro, që do ta çojë Shqipërinë drejt BE-së. Punët e partive secili prej nesh i bën në forumet përkatëse”, përfundoi Kushi.
Top Channel