Djali dhunoi brutalisht prindërit para banesës në Rrushkull, ndërron jetë pas 10 ditësh babai 72-vjeçar
Një 43-vjeçar shqiptar është plagosur rëndë me armë zjarri mbrëmjen e së shtunës në Certosa di Pavia të Italisë. Ai është qëlluar me një plumb në kraharor, teksa po hipte në automjet së bashku me disa miq.
Mediat italiane shkruajnë se, i plagosuri ndodhet në gjendje kritike në repartin e Reanimacionit në spitalin San Matteo të Pavias, ndërsa mjekët e konsiderojnë në rrezik për jetën.
Ngjarja ka ndodhur rreth orës 19:00 të datës 14 nëntor 2026. Sipas rindërtimit paraprak të ngjarjes, 43-vjeçari, i cili punonte si murator, sapo ishte larguar nga një lokal së bashku me disa miq dhe po shkonte drejt automjeteve të tyre, kur pranë tyre është afruar një makinë tjetër.
Njëri prej personave që ndodhej në automjetin e dytë ka ulur xhamin dhe ka qëlluar me pistoletë të paktën një herë. Plumbi, i kalibrit 7.65 mm, e ka goditur shqiptarin në kraharor.
Pas të shtënave, automjeti është larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes, duke marrë drejtimin e Milanos. Sipas informacioneve paraprake, në makinë dyshohet se ndodheshin dy persona.
Gjendja shëndetësore e 43-vjeçarit është paraqitur tepër e rëndë që në momentet e para pas plagosjes. Ai është transportuar me urgjencë në poliklinikën San Matteo të Pavias, ku është shtruar në repartin e Reanimacionit.
Sipas informacioneve të publikuara nga mediat italiane, plumbi i ka shkaktuar dëmtime të konsiderueshme në mushkëri. 43-vjeçari vijon të jetë në rrezik për jetën, ndërsa prognoza e tij mbetet e rezervuar.
Për zbardhjen e ngjarjes po punojnë hetuesit e Seksionit të Antikrimit të Rëndë, Squadra Mobile, në Pavia. Ata po përpiqen të rindërtojnë dinamikën e plotë të atentatit dhe të identifikojnë personat që hapën zjarr ndaj shqiptarit.
Deri më tani, as dëshmia e mikut që ndodhej me të nuk ka ofruar të dhëna të rëndësishme për autorët apo motivet e sulmit. Një element që ka tërhequr vëmendjen e hetuesve është fakti se as 43-vjeçari i plagosur dhe as shoku i tij nuk rezultojnë me precedentë penalë.
Një nga pistat që po shqyrtohet është ajo e një sulmi të qëllimshëm ndaj shqiptarit, që mund të lidhet me një larje hesapesh. Megjithatë, kjo mbetet një hipotezë hetimore dhe motivi i ngjarjes nuk është përcaktuar ende.
Një rol të rëndësishëm në identifikimin e autorëve pritet të kenë edhe kamerat e sigurisë në zonë. Pamjet filmike janë sekuestruar nga hetuesit dhe mund të ndihmojnë në gjurmimin e automjetit me të cilin u larguan autorët, si dhe në identifikimin e personave që ndodheshin brenda tij.
Top Channel