Shqiptarët që punuan me dekada në Greqi rrezikojnë pensione prej vetëm 300-400 eurosh

Mijëra emigrantë shqiptarë që kanë jetuar dhe punuar për dekada në Greqi po përballen me vështirësi të mëdha në prag të pensionimit, pasi vitet e punës nuk po u garantojnë të ardhura të mjaftueshme për një jetë dinjitoze.
Sipas një raportimi të medias greke TVXS, shumë prej tyre rrezikojnë të marrin pensione prej vetëm 300 deri në 400 euro në muaj, pavarësisht viteve të gjata të punës.
Problemi lidhet me legjislacionin grek, i cili kërkon 40 vjet qëndrim të ligjshëm dhe të përhershëm në Greqi për përfitimin e plotë të pensionit kombëtar.
Për çdo vit që mungon nga ky kriter, shuma e pensionit reduktohet proporcionalisht. Kjo paraqet një pengesë të madhe për emigrantët shqiptarë të gjeneratës së parë, shumica e të cilëve mbërritën në Greqi gjatë viteve 1990.
Gazeta greke ka intervistuar disa emigrantë shqiptarë, të cilët tregojnë se kanë punuar për dekada në bujqësi, ndërtimtari, pastrim të shtëpive dhe përkujdesje ndaj të moshuarve, por tani po përballen me pasiguri financiare në moshën e pensionimit.
A.Q., 62-vjeçar dhe aktivist për të drejtat e emigrantëve në Greqi, ka treguar se jeton në këtë shtet që nga viti 1992.
Ai ka theksuar se shumë gra shqiptare kanë punuar për vite të tëra nëpër shtëpi, duke pastruar, hekurosur dhe kujdesur për të moshuarit, por shpesh pa u regjistruar në sistemin e sigurimeve shoqërore.
Sipas tij, kjo ka bërë që shumë prej tyre sot të mos kenë mundësi të përfitojnë pension të dinjitetshëm, pavarësisht kontributit të dhënë ndër vite në shoqërinë greke.
Edhe përfaqësues të Iniciativës së Emigrantëve Shqiptarë dhe Solidarëve kanë ngritur shqetësimin për këtë çështje, transmeton Telegrafi.
Një prej tyre, i identifikuar si Flori, ka deklaruar se problemi u bë veçanërisht i dukshëm kur prindërit e gjeneratës së parë filluan të dalin në pension dhe zbuluan se shumat që përfitonin ishin shumë më të ulëta nga sa kishin pritur.
Sipas tij, përfituesit që arrijnë të marrin 600 euro konsiderohen ndër më me fat.
Një tjetër vështirësi lidhet me punësimin e padeklaruar, i cili për shumë vite ishte i përhapur në sektorë të ndryshëm të ekonomisë greke.
Për pasojë, shumë emigrantë nuk kanë arritur të sigurojnë numrin e nevojshëm të kontributeve pensionale, edhe pse kanë punuar për periudha të gjata.
Problemi është veçanërisht i theksuar te gratë shqiptare, të cilat kanë punuar kryesisht në sektorin e pastrimit dhe kujdesit për të moshuarit. Shumë prej tyre nuk kanë pasur sigurime shoqërore dhe, si rrjedhojë, sot përballen me vështirësi edhe për të fituar të drejtën e pensionimit, transemton Telegrafi.
Sipas raportimit, ligji grek parashikon një trajtim të veçantë për personat me origjinë greke, të cilëve u mundësohet një skemë kalimtare që nis nga 30 vjet qëndrim i ligjshëm. Megjithatë, kjo dispozitë nuk zbatohet për emigrantët e tjerë, përfshirë shqiptarët.
Përfaqësuesit e komunitetit shqiptar kërkojnë ndryshimin e kriterit prej 40 vjetësh qëndrim të ligjshëm, si dhe arritjen e marrëveshjeve ndërmjet Greqisë dhe vendeve të origjinës së emigrantëve për njohjen e viteve të punës dhe kontributeve pensionale në të dyja shtetet.
Ata theksojnë se një koordinim i tillë do të mundësonte llogaritjen e periudhave të sigurimit në Shqipëri dhe Greqi, duke shmangur humbjen e të drejtave pensionale për personat që kanë punuar në të dyja vendet.
Çështja prek veçanërisht gjeneratën e parë të emigrantëve shqiptarë, të cilët kanë kontribuar për dekada në ekonominë greke, por tani, në moshën e pensionimit, po përballen me vështirësi për të siguruar të ardhura të mjaftueshme për jetesë./Telegrafi/






































