SPAK përfundon hetimet ndaj Belinda Ballukut, dosja dërgohet për gjykim në GJKKO

Prokuroria e Posaçme ka përfunduar hetimet për ish-zëvendëskryeministren Belinda Balluku dhe ka dërguar dosjen për gjykim në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO). Lajmi është bërë i ditur nga kreu i SPAK, Klodian Braho, gjatë një takimi me gazetarët, ku ka dhënë detaje mbi ecurinë e hetimeve dhe punën e kryer nga grupi hetimor.
Sipas informacioneve të bëra publike, për hetimin e kësaj dosjeje janë angazhuar dy prokurorë dhe 10 hetues. Ndërkohë, prokurori Dritan Prençi ka bërë të ditur se në kuadër të hetimeve janë sekuestruar pasuri me vlerë rreth 1 milion e 830 mijë euro.
Braho bëri me dije se gjatë hetimeve, SPAK ka arritur që të provojë 3 akuza të reja ndaj Ballukut.Ai theksoi se Kuvendi nuk e ka pranuar lkërkesën e Prokuroriusë së Posaçme për heqejne e mandatit të Ballukut. Sipas tij, Kuvendi ka mbajtur qëndrim se zgjerimi i hetimeve nuk përbën rrethanë të re për ndryshimin e masës së sigurisë.
“Kuvendi nuk pranoi kërkesën tonë për të hequr mandatin e Belinda Ballukut. SPAK ka patur detyrim ligjor ta zbatoj pavarsish se ishte në kundërshtim me kërkesën tonë. kemi arritur të provojmë 3 akuza të reja, kjo tregon vullnetin e Prokurorisë së Posaçme. Kuvendi ka mbajtur qëndrim se zgjerimi i hetimeve nuk përbën rrethanë të re për ndryshimin e masës së sigurisë. Po kështu edhe Gjykata e Lartë ka mbajtur qëndrimin e saj”, ka thënë Braho.
Gjatë komunikimit me gazetarët, prokurorët kanë folur edhe për procesin hetimor dhe presionet e mundshme gjatë punës. Dritan Prençi dhe Dorina Bejko kanë deklaruar se nuk kanë pasur presione gjatë hetimit të çështjes.
“Unë nuk kam patur presione as direkte dhe as indirekte që nga momenti që jemi bërë pjesë e skuadrës hetuese”, është shprehur njëri prej prokurorëve.
Çështja ndaj Ballukut lidhet me hetimet për procedurat e tenderimit të disa veprave publike, mes tyre Tuneli i Llogarasë dhe lotet e Unazës së Madhe të Tiranës. Disa javë më parë SPAK i komunikoi pesë akuzat përfundimtare ish-zv.kryeministres Belinda. Sipas njoftimit të SPAK, Balluku akuzohet për 5 vepra penale, që lidhen me procedurat e prokurimit publik, korrupsionin, deklarimin e pasurisë dhe pastrimin e produkteve të veprës penale.
““Shkelje e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, në bashkëpunim (nëntë herë), parashikuar nga neni 258/2 e 25 i Kodit Penal.
“Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, e parashikuar nga neni 259 i Kodit Penal.
“Korrupsion pasiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, i parashikuar nga neni 260 i Kodit Penal.
“Refuzim për deklarimin, mosdeklarimin, fshehjen ose deklarimin e rremë të pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim”, (dy herë), parashikuar nga neni 257/a, paragrafi i 2-të i Kodit Penal.
“Pastrim i produkteve të veprës penale ose i veprimtarisë kriminale”, parashikuar neni 287, gërma “b” i Kodit Penal, e kryer në rrethana cilësuese “në bashkëpunim dhe më shumë se një herë”, sipas nenit 287/2 të Kodit Penal (për dy pasuri të paluajtshme). Prokuroria e Posaçme po vijon veprime konkrete procedurale për t’i komunikuar akuzat edhe personave të përfshirë në të njëjtën çështje penale”, thuhej në njoftimin e SPAK.
Por hetimet për çështjen Balluku nuk mbyllen me dërgimin e kësaj dosjeje në gjykatë. Sipas SPAK, një fraksion i çështjes do të vijojë të hetohet, duke përfshirë edhe disa procedura të tjera.
/rtsh.al/
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e RTSH, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e RTSH, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
Komentet 0
Ende nuk ka komente. Bëhuni i pari që komenton.




