Trafiku ajror në Shtetet e Bashkuara po i kthehet gradualisht normalitetit, pas tri ditësh me ndërprerje të shumta të shkaktuara nga ndalimi i ngritjes së avionëve, i vendosur të premten nga autoritetet e aviacionit, përcjell Euronews.
Sipas të dhënave të platformës FlightAware, të hënën në mëngjes ishin anuluar më shumë se 250 fluturime që lidheshin me SHBA-në, një rënie e ndjeshme krahasuar me mbi 2 300 anulimet e regjistruara të dielën. Ndërkohë, më shumë se 700 fluturime kishin vonesa, kundrejt mbi 10 mijë të dielën.
Gjatë fundjavës, mijëra udhëtarë mbetën të bllokuar në aeroporte, ku pritën për informacione dhe për riorganizimin e udhëtimeve të tyre. Ndërprerja e së premtes ishte vetëm hera e dytë që autoritetet amerikane vendosnin një ndalim të tillë në shkallë kombëtare, që nga pezullimi i fluturimeve pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001.
Administrata amerikane ia atribuoi kaosin një defekti gjatë përditësimit të pajisjeve dhe kabllove të komunikimit të kontrollit të trafikut ajror.
Presidenti Donald Trump reagoi të dielën, duke fajësuar administratën e paraardhësit të tij, Joe Biden, për gjendjen e sistemit të aviacionit. Ai kërkoi gjithashtu miratimin nga Kongresi të fondeve për modernizimin e infrastrukturës së vjetruar.
Drejtori i Administratës Federale të Aviacionit (FAA), Bryan Bedford, kishte parashikuar se trafiku ajror do të rikthehej në normalitet deri në fund të së dielës. Megjithatë, sekretari i Transportit, Sean Duffy, paralajmëroi se procesi do të kërkonte më shumë kohë, pasi avionët dhe ekuipazhet kishin mbetur jashtë pozicioneve të tyre të zakonshme.
Duffy tha se situata pritej të përmirësohej gjatë së hënës, por normalizimi i plotë mund të arrihej të martën. Ai hodhi poshtë gjithashtu thirrjet për dorëheqjen e tij, duke theksuar se kishte trashëguar një infrastrukturë të vjetruar, përfshirë pajisje radari që datojnë që nga vitet 1960.
Sekretari i Transportit ka kërkuar 50 miliardë dollarë për përmirësimin dhe modernizimin e sistemit të kontrollit të trafikut ajror. Nga ana tjetër, demokratët argumentuan se Kongresi, i kontrolluar nga republikanët e Trumpit, kishte pasur mundësinë të miratonte financimin e nevojshëm.
