
Franca i ka kërkuar Bashkimit Evropian të miratojë brenda një muaji sanksione kundër individëve dhe organizatave përgjegjëse për sulmin kibernetik ndaj rreth 700 supermarketeve franceze, për të cilin Parisi akuzon Gardën Revolucionare të Iranit. Kërkesën e bëri të ditur ministri francez për Evropën dhe Punët e Jashtme, Jean-Noel Barot.
Sipas tij, provat për përgjegjësit i janë paraqitur tashmë partnerëve evropianë dhe është siguruar mbështetja e shumicës dërrmuese të shteteve anëtare. Deklarata u dha në prag të takimit të Këshillit të BE-së për Punët e Jashtme në Bruksel. Atje Barot shprehu shpresën se masat do të miratohen në mbledhjen e ardhshme të ministrave të jashtëm të BE-së, më 14 dhjetor.
Sipas ministrit francez, Franca u zgjodh si shënjestër për shkak të mbështetjes së saj për popullin iranian, të cilin e përshkroi si të ekspozuar ndaj “shtypjes brutale” nga Trupat e Gardës Revolucionare Islamike të Iranit (IRGC). Njoftoi gjithashtu se më 25 nëntor në Paris do të mbahet një aktivitet kushtuar zërave iranianë dhe mbështetjes për qytetarët iranianë.
Në të njëjtën deklaratë, Barot përshëndeti miratimin e sanksioneve të reja të BE-së kundër 145 individëve dhe subjekteve të lidhura me Moskën, përfshirë kryetaren e kompanisë ruse të tregtisë elektronike Wildberrys, të cilën e quajti gruan më të pasur në Rusi, si dhe një terminal nafte në Shën Petersburg.
Ministri francez bëri të ditur se do të avokojë për miratimin e paketës së 22-të të sanksioneve kundër Rusisë, veçanërisht për masat që synojnë kompanitë që eksportojnë benzinë në atë vend. Për 4 dhjetorin, ai paralajmëroi një konferencë ndërkombëtare në Paris mbi shtypjen e të ashtuquajturës flotë në hije ruse, e cila përdoret për të transportuar naftë dhe për të anashkaluar sanksionet perëndimore.
Duke folur për sigurinë evropiane, Barot theksoi se evropianët duhet të vendosin në mënyrë të pavarur për sigurinë e tyre dhe nuk duhet të lejojnë të tjerët të vendosin për të ardhmen e tyre. Kujtoi se të enjten e kaluar në Dublin, përfaqësuesit e 42 vendeve, të cilat së bashku kanë rreth 600 milionë banorë, nga Portugalia në Finlandë dhe nga Atlantiku në Detin e Zi, ranë dakord për një kartë të përbashkët mbi parimet e sigurisë evropiane.
Sipas ministrit francez, Rusia nuk mund të përcaktojë arkitekturën e sigurisë së Evropës dhe hapi i parë drejt bisedimeve për sigurinë e ardhshme është përfundimi i luftës në Ukrainë. Për të arritur një paqe të qëndrueshme, theksoi Barot, është e nevojshme që presidenti rus Vladimir Putin të pranojë propozimet për armëpushim, së bashku me garancitë e sigurisë që do të parandalonin agresionin e ri.
Franca beson se çdo vend dhe populli i tij kanë të drejtë të vendosin në mënyrë të pavarur për sigurinë dhe orientimin e tyre politik, përfshirë anëtarësimin në Bashkimin Evropian ose NATO, shtoi kreu i diplomacisë franceze.
