“Mos e ndalni prodhimin e Cybertruck, na e jepni neve” – oferta e papritur për Teslan
Kompania Unplugged Performance, e njohur për modifikimin e automjeteve Tesla, i ka bërë një ofertë publike prodhuesit amerikan për të marrë përsipër prodhimin e Cybertruck, në vend që modeli elektrik të largohet nga linja e prodhimit.
Oferta vjen pasi Tesla konfirmoi se do të vazhdojë prodhimin e Cybertruck deri në fund të verës së vitit 2027, duke e shtyrë afatin e mëparshëm për ndërprerjen e tij.
Unplugged Performance deklaroi se është e gatshme ta financojë vetë prodhimin, me mbështetjen e një grupi investitorësh, pa i shkaktuar Tesla-s kosto shtesë apo pengesa në planet e saj.
“Ne e mbështesim plotësisht vendosjen e Cybercab si prioritet dhe do të ishim të lumtur ta merrnim përsipër linjën e Cybertruck”, deklaroi kompania.
Sipas propozimit, Tesla do të duhej të jepte vetëm licencën e prodhimit, ndërsa Unplugged do të siguronte financimin dhe personelin.
Në këmbim, Tesla do të përfitonte pagesa nga licenca dhe të ardhura nga teknologjia Full Self-Driving dhe rrjeti Robotaxi për automjetet e prodhuara.
Kompania ka propozuar gjithashtu zgjerimin e platformës Cybertruck me dy modele të reja: CyberSUV, një SUV me shtatë ulëse, dhe CyberCargo, një automjet transportues pa shofer.
Ndërkohë, Tesla po planifikon t'i japë përparësi prodhimit të Cybercab në fabrikën e saj në Teksas, ku aktualisht prodhohet Cybertruck.
Elon Musk ka deklaruar se prodhimi i Cybertruck është zgjatur deri në verën e vitit 2027 për të përmbushur një pjesë më të madhe të porosive ekzistuese.
Megjithatë, Tesla ende nuk i është përgjigjur publikisht ofertës së Unplugged Performance, ndërsa kompania e modifikimeve vazhdon përpjekjet për të siguruar investitorë dhe staf të specializuar.
Për momentin, nuk ka asnjë marrëveshje të konfirmuar, ndërsa planet për ndërprerjen e prodhimit të Cybertruck mbeten në fuqi. /Telegrafi/





























