Taksistët vijojnë protestat, kërkojnë t’i jepet fund konkurrencës së pandershme dhe karburant më të lirë

Jetnor Aga, i cili prej 17 vitesh punon si taksist në kryeqytet, iu bashkua protestës së thirrur nga Sindikata e Transportit, duke kërkuar një reagim për gjendjen në të cilën këta punonjës ndodhen.
Taksisti shprehet se dhënia e licencave pa kriter i ka çuar drejt falimentimit, ndërsa një tjetër problem shqetësues sipas tij janë edhe taksitë nga rrethet që vijnë dhe punojnë në kryqytet.
“Duhet të ndalohen së dhëni lishencat, sepse ato janë katër-fishuar. Ka edhe shumë taksi që punojnë në të zezë. Ka shumë shofera pa patenata përkatëse, pa dëshmi. Vijnë edhe taksi nga rrethet dhe vijnë e punojnë këtu”, thotë ai.
Aga shprehet se si kryefamiljar nuk arrin të marrë fitime mjaftueshëm për shkak të konkurencës së pandershme, ndërsa i bën thirrje kolegëvë të bashkohen në tubim.
“Kemi shumë probleme edhe me orarin po nuk kemi çfarë bëjmë, e kemi nga halli, nuk kemi punë, edhe unë do doja të bëja 8 orë punë pastaj të rrija me familjen, ne dalim në 7, po nuk bëjmë dot as rrugën e parë në orën 9. Është shumë e vështirë. Ne presim një pjesëmarrje më të madhe në protestë, është për të mirën e tyre”, thotë Aga.
Përfaqësues të Sindikatës së punonjësve të transportit Taksi u mblodhën edhe këtë të hënë në protestë duke përsëritur kërkesat e tyre të cilat lidhen me konkurencën e pandershme, dhe çmimin e karburanteve.
“Këtu janë shumë probleme, sidomos licencat pa limit, kompanitë janë fryrë jashtë mase, as ata vetë nuk e dinë si i menaxhojnë. Po të shohim edhe vendet e Ballkanit, ka kompani, por me limite. Në Greqi që unë kam jetuar, gjërat shkonin në mënyrë perfekte. Bashkia i kishte hapur taksive edhe vende parkimi të posaçshme në rrugë, ndërsa këtu na i mbyllin vendet e parkimit. Duhet të rishikohen edhe këto licencat që janë nga Ministria e Transportit”, thotë Arjan Kazo, Sekretar i Sindikatës së Punonjësve të Transportit Taksi.
“Shërbimin taksi po e çojnë drejt falimentimit total. Ne kemi kërkuar që kjo gjendje të përmirësohet nga institucionet. Ne i kemi bërë dialogët me disa institucione, por reagimi i tyre është mashtrim, këto institucione janë kthyer në grabitës të punonjësve”, thotë Gëzim Karanxha, sekretar i përgjithshëm i Sindikatës së Punonjësve të Transportit Taksi në Shqipëri.
Protesta e mbajtur në sheshin “Nënë Tereza” nuk u shoqërua me tensione, ndërsa pas grumbullimit, taksistët marshuan përgjatë bulevardit Dëshmorët e Kombit në mënyrë simbolike.




