Pesë shtete të BE-së pritet të njoftojnë krijimin e një qendre për deportimin e migrantëve në Ruandë, në kuadër të përpjekjeve për të rritur kthimin e migrantëve dhe për të frenuar migrimin e parregullt.
Sipas burimeve diplomatike, Gjermania, Danimarka, Austria, Greqia dhe Holanda pritet të bëjnë të ditur marrëveshjen për krijimin e kësaj qendre në shtetin afrikan, i cili nuk ka dalje në det.
Pesë vendet kishin njoftuar në shtator se po punonin për një marrëveshje me një shtet jashtë Bashkimit Evropian për krijimin e të ashtuquajturave “qendra të kthimit”. Ndërkaq, në gusht, Ruanda kishte bërë të ditur se kishte nisur diskutimet paraprake me disa shtete evropiane.
Plani parashikon që në këto qendra të dërgohen vetëm azilkërkuesit të cilëve u janë shteruar të gjitha mundësitë ligjore për të qëndruar në Bashkimin Evropian.
Kjo skemë ndryshon nga marrëveshja e mëparshme mes Mbretërisë së Bashkuar dhe Ruandës, e cila parashihte dërgimin e migrantëve në këtë shtet për shqyrtimin e kërkesave të tyre për azil. Marrëveshja britanike nuk u zbatua kurrë për shkak të sfidave ligjore dhe u anulua përfundimisht nga qeveria e re laburiste në vitin 2024.
Detajet e marrëveshjes mes pesë shteteve të BE-së dhe Ruandës pritet të bëhen publike të hënën në Vjenë.
Sipas burimeve diplomatike të cituara nga agjencia e lajmeve AFP, qendra në Ruandë fillimisht do të funksionojë si projekt pilot, me kapacitet për rreth 100 persona. Secili nga pesë shtetet pritet të dërgojë nga 20 migrantë.
Vendet evropiane shpresojnë që qendra të nisë funksionimin gjatë vitit 2027. Ndërkohë, Organizata Ndërkombëtare për Migracionin (IOM) mund të ketë rol mbështetës në këtë proces.
Një zëdhënës i kësaj organizate ka thënë se IOM ka përvojë të gjatë në ofrimin e ndihmës për migrantët, përfshirë edhe në situata komplekse tranziti, duke konfirmuar se është në diskutime me disa shtete të BE-së lidhur me planet për krijimin e qendrave të kthimit.
Marrëveshja vjen në një kohë kur disa shtete evropiane po përballen me presion të shtuar politik për të dëshmuar se mund ta kontrollojnë migrimin, veçanërisht për shkak të zgjedhjeve të ardhshme.
Megjithatë, plani ka nxitur shqetësime nga organizatat për të drejtat e njeriut.
Studiuesja e lartë për Afrikën në organizatën Human Rights Watch, Clementine de Montjoye, ka shprehur shqetësim për përzgjedhjen e Ruandës, duke theksuar se ky shtet ka një histori të dokumentuar të shtypjes së kundërshtarëve, ndalimeve arbitrare dhe keqtrajtimit në burgje, si dhe mbështetjes së grupeve të armatosura në Republikën Demokratike të Kongos.
Ajo ka paralajmëruar se pagesa ndaj qeverisë së Ruandës për të pritur migrantët jo vetëm që do t’u shkaktonte vuajtje personave të deportuar, por gjithashtu do t’i siguronte mbështetje financiare dhe ndikim politik një qeverie përgjegjëse për shkelje serioze të të drejtave të njeriut.
Edhe Agjencia e Bashkimit Evropian për të Drejtat Themelore ka theksuar se çdo shtet i tretë që pret qendra të tilla duhet t’i respektojë të drejtat themelore të njeriut. Sipas saj, migrantët nuk duhet të dërgohen në vende ku përballen me rrezik serioz të persekutimit, ndërsa fëmijët e pashoqëruar nuk duhet të dërgohen në këto qendra.
Sipas Agjencisë Evropiane të Rojës Kufitare dhe Bregdetare, në dhjetë muajt e parë të vitit 2026 janë regjistruar afro 110 mijë kalime të parregullta të kufijve të Bashkimit Evropian, që paraqet rënie prej 29 për qind krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit paraprak.
Vetëm gjatë muajit tetor janë regjistruar rreth 18 mijë e 100 kalime, 6 për qind më pak se në tetorin e vitit 2025, por 22 për qind më shumë krahasuar me shtatorin. Kjo rritje i atribuohet kryesisht shtimit të ndjeshëm të ardhjeve përmes rrugës së Afrikës Perëndimore drejt Ishujve Kanarie.