Shkencëtarët kanë identifikuar dy specie të reja majmunësh në pyjet tropikale të Amazonës, një zbulim që ndryshon mënyrën se si kuptohet evolucioni i këtyre primatëve. Por pas lajmit pozitiv për biodiversitetin fshihet një problem serioz: njëra prej specieve të sapozbuluara është pranë zhdukjes.
Dy speciet janë emërtuar Alouatta iroi dhe Alouatta matogrossensis. Ato dallohen për qimet e kuqe, mjekrën karakteristike dhe pamjen e veçantë. Me identifikimin e tyre, numri i specieve të njohura të majmunëve ulëritës në botë shkon në 16.
Zbulimi u realizua përmes analizave gjenetike, duke studiuar materialin biologjik të 11 specieve të majmunëve ulëritës nga Amerika Qendrore dhe ajo e Jugut. Studiuesit përdorën gjithashtu të dhëna të reja gjenomike nga koleksione zoologjike në Brazil.
Analizat treguan se këta primatë kanë një histori evolucionare shumë më komplekse nga sa mendohej. Sipas studiuesve, paraardhësit e tyre janë ndarë nga grupet e afërta mes 19 dhe 13.5 milionë vjet më parë.
Por zbulimi sjell edhe një paralajmërim për të ardhmen e këtyre kafshëve. Njëra prej specieve të reja, Alouatta matogrossensis, konsiderohet në prag të zhdukjes. Ndërsa specia tjetër përballet me kërcënime nga një projekt i planifikuar për ndërtimin e një dige në lumin Rio Branco.
Studimi është publikuar në revistën Communications Biology. Studiuesit theksojnë se Amazonia vazhdon të fshehë sekrete biologjike, madje edhe për kafshë që janë studiuar prej shumë vitesh.
© SYRI.net