“E gjithë opozita, një emër për Tiranën”, Alimehmeti: Vetëm një konsensus i tillë mund ta sjellë fitoren

Mjeku Ilir Alimehmeti u ka bërë apel të gjitha forcave që janë në opozitë, përfshirë edhe protestuesit që sot njihen me emrin “flamingo”, apo edhe studentët që janë sot në protestë, që të bashkohen rreth një kandidati të vetëm për zgjedhjet për Bashkinë e Tiranës.
Tashmë nuk ka më asnjë dyshim se kandidati i forcës më të madhe politike të opozitës, Partisë Demokratike, për Tiranën është Ilir Alimehmeti, por vetë ai kërkon që forcat opozitare të gjejnë gjuhën e përbashkët rreth një kandidati të vetëm për kryeqytetin, si e vetmja rrugë për të mundur kandidatin e kryeministrit Edi Rama dhe Partisë Socialiste.
“Unë jam shumë i qartë, duhet konsensus midis të gjitha forcave opozitare ose që e quajnë veten opozitare, për një kandidat.”, tha Ilir Alimehmeti, anëtar i kryesisë së PD.
Alimehmeti deklaron se ai është gati të pranojë çdo mekanizëm që garanton bashkimin e opozitës rreth një kandidati, përfshirë edhe votimin për kandidatët në sheshin e protestës.
“Unë mendoj, besoj dhe shpresoj që këto forca të kenë atë ndërgjegje për t’u ulur bashkë, ta zgjidhin në mënyrën e tyre, me çfarë formati, me sondazhe, me primare të mëdha, me kutinë te sheshi dhe të votojë qyteti kë do të donte kandidat. Por të kishin një kandidat të përbashkët. Sepse nëse forcat opozitare arrijnë një kandidat të përbashkët, nuk ka asnjë lloj diskutimi për përfundimin zgjedhor.”
Sipas Alimehmetit, dalja e disa kandidatëve nga opozita për Bashkinë e Tiranës i shërben kryeministrit Edi Rama, i cili, sipas tij, është investuar në përçarjen e opozitës.
“Patjetër, kjo është arma që do të dojë Rama, se i ka parë sondazhet që është shumë dobët. Nga ana tjetër, maturia, se kundërshtari të hap gracka, por maturia të thotë pse duhet të biesh në këtë grackë. Unë mendoj që do të gjendet maturia dhe do të dilet me një kandidat të përbashkët. Ky është interes demokratik, është interes publik.”
Ilir Alimehmeti është figura me të cilën Partia Demokratike kërkon të hyjë në garën për Bashkinë e Tiranës, por kandidatura e tij ende nuk është zyrtarizuar dhe përpjekjet e opozitës në këtë fazë janë fokusuar te bashkimi i të gjitha forcave që janë kundër kryeministrit Edi Rama dhe kandidatit që ai do të nxjerrë për Tiranën.
/vizionplus.tv




