Kryeministri Edi Rama ka komentuar nga Brukseli protestat e zhvilluara gjatë muajve të fundit në Tiranë, duke iu referuar lëvizjes së protestuesve si “revolucioni flamingo” dhe duke e lidhur vëmendjen ndërkombëtare ndaj tyre me ndikimin e Donald Trump.

Gjatë pjesëmarrjes në Forumin për Zgjerimin e Bashkimit Europian, Rama u shpreh se protestat në Shqipëri kanë marrë vëmendje të gjerë publike, ndërsa sipas tij, interesi ndërkombëtar për to u ndikua edhe nga zhvillimet politike në SHBA.

“Ajo çfarë ka ndodhur në Shqipëri gjatë muajve të fundit ka qenë gjerësisht publike. Revolucioni flamingo tërhoqi vëmendjen e gjithë botës, sepse pas tij ishte hija e Donald Trump. Sepse nuk jam shumë i sigurt nëse, po të mos ishte Trump, do t’ia dinte kush për flamingot në Shqipëri”, deklaroi Rama.

Kreu i qeverisë e përshkroi situatën si shenjë të një Shqipërie të re, ku qytetarët kërkojnë më shumë, duke iu referuar edhe konceptit të “revolucionit të pritshmërive më të larta”, të përmendur nga filozofi Alexis de Tocqueville.

Sipas Ramës, kërkesat e qytetarëve për më shumë janë plotësisht legjitime, ndërsa këtë e lidhi edhe me procesin e integrimit europian dhe marrëdhënien e ngushtë të Shqipërisë me Bashkimin Europian.

“Është një Shqipëri e re që kërkon më shumë. Ajo që Tocqueville e quajti ‘revolucioni i pritshmërive më të larta’. Njerëzit kanë plotësisht të drejtë legjitime për të kërkuar më shumë. Ky është fakti pse jemi kaq të lidhur ngushtë me BE-në, që ka qenë shumë dobiprurës në vetvete”, u shpreh kryeministri.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb