Kryeministri Edi Rama ndodhet në Bruksel, ku po merr pjesë në Forumin e II-të të Zgjerimit të Bashkimit Europian. I pyetur mbi mundësinë e një integrimi gradual, ai deklaroi se jo vetëm nuk e kundërshton këtë qasje, por e ka mbështetur dhe për këtë ka luftuar prej kohësh.
Sipas Ramës, “Plani i rritjes” është një instrument që reflekton këtë qasje të Komisionit dhe të BE-së, pasi hendeku ndërmjet vendeve kandidat dhe BE-së mbetet i madh dhe nevojitet më shumë sesa kapacitetet aktuale për ta mbyllur atë. Ai vlerësoi se përpjekjet për të ndjekur rrugë të tjera, si pozicioni i anëtarësit të asociuar që i është propozuar Ukrainës, nuk çojnë diku dhe i përshkroi si një gënjeshtër, sepse nuk lidhen me instrumentet e BE-së, që sipas tij bazohen në meritë.
Rama theksoi se procesi i bazuar në meritë është kryesisht një dhuratë për vendet e kandidateve, sepse i bën ato të afta të realizojnë reforma dhe detyra që pa këtë proces nuk do të mund t’i kryenin. Ai përmendi rolin e BE-së si burim të rëndësishëm të dijes për krijimin e institucioneve dhe përfitimeve që rrjedhin nga ky proces për Shqipërinë.
Në të njëjtën kohë kreu i qeverisë u shpreh me fjalë të ashpra kundër mënyrës së veprimit politik të BE-së, duke thënë se Europa nuk jep anëtarësimin pa meritë, por se politika e BE-së shpesh zhgënjen. Ai shtoi se Komisioni ka të drejtë ta “torturojë” procesin e vlerësimit, por se vendimmarrja politike brenda BE-së, për shkak të konflikteve midis shteteve anëtare, herë pas here rrëzon përpjekjet e vendeve kandidate.
