Dita e dytë e samitit të Bashkëpunimit Ekonomik Azi-Paqësor të enjten e kësaj jave pritet të jetë më e rëndësishmja.
Ministria e Jashtme kineze konfirmoi këtë të hënë se aty pritet që presidentët e SHBA, Kinës dhe Rusisë të zhvillojnë një takim trepalësh, duke shënuar një prej zhvillimeve politike më të rëndësishme të vitit e ndoshta më gjerë.
Por çfarë pritet të diskutojnë Donald Trump, Vladimir Putin dhe Xi Jinping? Me një axhendë të papublikuar zyrtarisht, analistët dhe mediat në perëndim kanë ndërtuar disa pritshmëri nga takimi i tyre.
Tema kryesore pritet të jetë çarmatosja bërthamore. Traktati mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë skadoi në shkurt, pa u zëvendësuar me një të ri. Uashingtoni dëshiron të përfshijë Kinën në një sistem të ri të kontrollit të armëve por Pekini ngurron pasi arsenali i tij bërthamor, ndonëse po rritet me shpejtësi, mbetet shumë më i vogël se ai amerikan dhe rus.
Pranimi i kufizimeve, nga këndvështrimi kinez thotë Corriere do të ishte një mbetje pas dy të mëdhenjve të tjerë. Shtëpia e Bardhë pranon se samiti vështirë se do të prodhojë një marrëveshje. Megjithatë, Trump dëshiron të nisë një negociatë trepalëshe, me synimin që ajo të bëhet një nga trashëgimitë e presidencës së tij.
Tema tjetër zyrtare do të jetë Irani. Këtu qëndrimet janë edhe më të largëta. Rusia dhe Kina kanë kultivuar marrëdhënie strategjike me Teheranin, ndërsa Shtetet e Bashkuara janë në luftë kundër Republikës Islamike. Trump mund të përpiqet të sigurojë ndërmjetësimin e dy fuqive të tjera. Putini ka interes të ruajë ndikimin e tij mbi Iranin, ndërsa Xi nuk dëshiron të rrezikojë marrëdhëniet me një partner të rëndësishëm energjetik.
Moska po kërkon një “Jaltë” të re nga ky takim. Megjithatë, një burim pranë Kremlinit i tha gazetës Financial Times se çështja e Ukrainës nuk ka gjasa të diskutohet në detaje. Nga ana e saj, Kina nuk duket aspak e prirur të përfshihet drejtpërdrejt në procesin e paqes.
Megjithatë, FT thotë se se vetë pamja e tre liderëve të ulur në të njëjtën tryezë do të ketë një peshë të konsiderueshme simbolike dhe do të tërheqë vëmendjen e mbarë botës.











Komente
Komento