BE-ja vendos sanksione ndaj një kompanie ruse të përfshirë në fushata dezinformimi dhe ndaj një grupi hakerësh rusë

16 Nëntor 2026 | 15:18

Vendet anëtare të Bashkimit Evropian vendosën të hënën sanksione ndaj një kompanie ruse që organizon fushata dezinformimi, si dhe ndaj një prej grupeve më të njohura të hakerëve në Rusi.

Këshilli i BE-së njoftoi se ka vendosur sanksione ndaj kompanisë Social Design Agency, me seli në Moskë, e cila zhvillon “operacione në shkallë të gjerë të manipulimit dhe ndërhyrjes në informacion”, si dhe ndaj 24 punonjësve të saj.

Sipas Këshillit të BE-së, kompania Social Design Agency financohet, drejtohet dhe mbikëqyret nga qeveria ruse. Ajo ka organizuar fushata dezinformimi që kanë pasur në shënjestër vendet e BE-së, instituonet evropiane dhe mbështetjen e Evropës për Ukrainën.

Kompania është lidhur më parë me një rrjet të madh dezinformimi në internet, të njohur si Doppelganger. Ky rrjet kishte në shënjestër zgjedhjet evropiane të vitit 2024 dhe zhvilloi operacione të posaçme kundër vendeve anëtare të BE-së, si Gjermania dhe Franca.

Kryeqytetet e vendeve të BE-së ranë gjithashtu dakord të vendosin sanksione ndaj grupit të njohur rus të hakerëve NoName057, i cili ka sulmuar institucionet shtetërore, infrastrukturën kritike dhe kompanitë private në BE, Ukrainë dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Ky grup njihet për sulmet e ashtuquajtura DDoS, mohim i shpërndarë i shërbimit, të cilat synojnë të nxjerrin jashtë funksionit faqet e internetit duke i mbingarkuar me kërkesa të shumta.

Vitin e kaluar, një operacion i përbashkët i autoriteteve evropiane të zbatimit të ligjit kishte në shënjestër këtë grup hakerësh.

BE-ja vendosi gjithashtu sanksione ndaj propagandistëve rusë, duke përfshirë ndalimin e udhëtimit dhe ngrirjen e aseteve të tyre.

Që nga nisja e pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës nga Rusia në vitin 2022, Bashkimi Evropian ka miratuar disa paketa sanksionesh kundër fushatave ruse të dezinformimit.

Home Kryefaqja
Shiko në: YouTube
Lajme të Sugjeruara

Mbreti belg i jep kryeministrit De Wever më shumë kohë për të rënë dakord për buxhetin e ri

Mbreti i Belgjikës, Philippe i ka dhënë kryeministrit belg, Bart De Wever më shumë kohë për të hartuar një buxhet të ri për uljen e...
15:14 | 16/11/2026

Fluturimet në SHBA drejt normalizimit pas tri ditësh ndërprerjesh

Udhëtimi ajror në Shtetet e Bashkuara po rikthehet gradualisht në normalitet, pas tri ditësh ndërprerjesh të mëdha të shkaktuara nga një urdhër i jashtëzakonshëm për...
14:32 | 16/11/2026

Bolsonaro kërkon rezidencë të përhershme në SHBA pas humbjes së zgjedhjeve

Flavio Bolsonaro, i cili udhëtoi fshehurazi në SHBA pasi humbi zgjedhjet presidenciale të Brazilit, tha se planifikon të kërkojë leje qëndrimi të përhershme mes shqetësimeve...
12:48 | 16/11/2026