E hënë, 16 Nëntor 2026 Lajme Ora 15:00 dhe Moti deri në 15:40 Në vijim ora 15:40: Fat i Hidhur Reklamo Kontakt Karriera
Vizion Plus
Kronikë

Vrau gjyqtarin Astrit Kalaja, Gjykata penale e Tiranës kalon për gjykim çështjen e Elvis Shkambit dhe xhaxhait të tij

Gjykata Penale e Tiranës ka kaluar për gjykim, nga seanca paraprake në gjykim, Elvis Shkëmbin dhe xhaxhain e tij, nën akuzën për vrasjen e gjyqtarit Astrit Kalaja. Për gjykim kaloi edhe Banush Koxhaj, roja i sigurisë.

Elvis Shkambi akuzohet për veprat penale “Vrasje e funksionarëve publikë”, “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese” kundër palëve ndërgjyqëse, e mbetur në tentativë, si dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.

Ndërkohë, xhaxhai i tij Gjon Shkambi është dërguar në gjyq për veprën penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese”, ndërsa punonjësi i sigurisë Banush Koxhaj akuzohet për “Shpërdorim detyre”.

Sipas hetimeve, më 6 tetor 2025, pas shpalljes së vendimit nga gjyqtari Astrit kalaja gjatë një seance për “Kundërshtimin e veprimeve përmbarimore”, Elvis Shkambi nxori nga brezi një pistoletë dhe qëlloi disa herë në drejtim të gjyqtarit.

Reklamë

Më pas, ai e drejtoi armën edhe ndaj dy personave të tjerë që tentuan të largoheshin nga salla, duke plagosur njërin në dorën e djathtë dhe duke dëmtuar tjetrin në trup.

Pas ngjarjes, Elvis Shkambi ia dorëzoi armën punonjësit të sigurisë dhe doli në oborrin e gjykatës, ku u kap në flagrancë.

Prokuroria thotë se nga hetimet rezultoi se Elvis Shkambi e kreu veprën në bashkëpunim me Gjon Shkambin. Një nga provat e përmendura në dosje është edhe deklarimi i Elvis Shkambit se e kishte pasur armën edhe në seanca të tjera dhe se xhaxhai i tij ishte në dijeni të këtij fakti.

Në lidhje me punonjësin e sigurisë, Prokuroria konstaton se Elvis dhe Gjon Shkambi kanë hyrë në gjykatë pa iu nënshtruar kontrollit fizik, ndërsa njëri prej tyre kishte armë zjarri me vete.

Vazhdo të lexosh

Reklamë

Lini një koment

Me respekt — komentet moderohen nga redaksia.
Nuk publikohet kurrë.