Prokuroria e Posaçme ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar për gjykim Belinda Ballukun, ish-zëvendëskryeministren dhe ish-ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë. Po ashtu janë dërguar në gjyq dhe 25 persona të tjerë si dhe dy shoqëri tregtare. Balluku akuzohet për disa vepra penale, mes tyre shkelje të barazisë në tendera, korrupsion pasiv, fshehje të pasurisë dhe pastrim të produkteve të veprës penale. Sipas SPAK, hetimet kanë zbuluar parregullsi dhe ndërhyrje të dyshuara në 10 procedura prokurimi të zhvilluara nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Autoriteti Rrugor Shqiptar dhe Albcontrol. Në qendër të hetimit janë tendera me vlera të konsiderueshme, përfshirë ndërtimin e Tunelit të Llogarasë, lotet e Unazës së Jashtme të Tiranës, segmentet rrugore Sheshi Shqiponja–Bulevardi i Ri, rruga Porto Romano–Durrës dhe rikonstruksioni i godinës teknologjike të Albcontrol. Sipas akuzës, Balluku dyshohet se ka ndërhyrë në procedurat e prokurimit për të paracaktuar dhe favorizuar kompani të caktuara, në bashkëpunim me ish-drejtues dhe punonjës të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Autoritetit Rrugor Shqiptar. Një nga episodet kryesore të dosjes lidhet me ndërtimin e Tunelit të Llogarasë, me fond limit rreth 18.9 miliardë lekë pa TVSH. Sipas SPAK, Balluku, ndonëse kishte deleguar formalisht kompetencat te Sekretari i Përgjithshëm i ministrisë, dyshohet se ka ndjekur dhe orientuar procedurën që nga përgatitja e dokumentacionit deri në shpalljen e fituesit dhe lidhjen e kontratës. Prokuroria pretendon se është favorizuar bashkimi i operatorëve ekonomikë ndërsa anëtarët e komisionit të vlerësimit dyshohet se e kanë shpallur fituesin pa përmbushur kriteret e tenderit. Po ashtu sipas akt-ekspertimit teknik të administruar nga hetuesit, këto veprime i kanë shkaktuar shtetit një dëm ekonomik të pretenduar prej rreth 2 miliardë lekësh për fondin fillestar dhe 5.47 miliardë lekësh për preventivin e rishikuar. SPAK pretendon se e njëjta skemë ndërhyrjeje është përdorur edhe në disa procedura të tjera prokurimi. Vlera e përgjithshme e pasurive të sekuestruara të Ballukut sipas SPAK, arrin në 1 830 000 euro (një milion e tetëqind e tridhjetë mijë euro), dhe përbëhet nga: Vila dykatëshe në Palasë, me vlerë 1 110 000 euro (një milion e njëqind e dhjetë mijë euro). dhe Vila në Dhërmi, me vlerë aktuale tregu 720 000 euro (shtatëqind e njëzet mijë euro).