
Ministri Blendi Gonxhja, së bashku me drejtoreshën e Agjencisë Kombëtare të Rinisë, Sara Bodo, morën pjesë në ceremoninë e nënshkrimit të kontratave të financimit për 36 organizatat fituese të skemës EU4YOUTH, financuar nga Bashkimi Evropian dhe zbatuar nga Agjencia Kombëtare e Rinisë, me një fond prej rreth 1.67 milionë eurosh.
Nga 113 aplikime, 36 organizata u përzgjodhën për të realizuar projekte konkrete në mbështetje të të rinjve.
Prej tyre, 24 projekte synojnë nxitjen e pjesëmarrjes qytetare, vullnetarizmit dhe angazhimit komunitar, ndërsa 12 fokusohen te sporti dhe përfshirja e vajzave dhe të rinjve me aftësi të kufizuara. Ministri Gonxhja theksoi se mbështetja për rininë mbetet një prioritet i Qeverisë shqiptare, duke evidentuar se vetëm gjatë vitit 2026 janë ofruar 1,207 vende praktike pune, janë mbështetur 32 organizata rinore dhe janë akorduar fonde për iniciativat rinore, artin dhe kulturën.
Nga ana e saj, drejtoresha Sara Bodo ishte pjesë e këtij angazhimi institucional për zgjerimin e mundësive të të rinjve përmes financimit të projekteve që nxisin pjesëmarrjen aktive dhe zhvillimin e komuniteteve. Për vitin 2027 janë parashikuar gjithashtu shtatë projekte të reja të infrastrukturës rinore në disa bashki të vendit, me synimin që mundësitë për zhvillim dhe përfshirje të shtrihen përtej qyteteve të mëdha.
