Vendosni fjalën kyçe....

Zhupa ironizon deputetët për Asamblenë e PS-së: Reflektoni para se të përjashtoheni


Diskutimet në Komisionin Parlamentar të Kulturës, ku po shqyrtohej buxheti për Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave, u shoqëruan me debate politike mes deputetëve të Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste.

Kryetarja e komisionit, deputetja e PD-së, Ina Zhupa, komentoi zhvillimet në Asamblenë e Partisë Socialiste, të mbajtur të shtunën, duke e krahasuar atë me pleniumet e dikurshme të Partisë së Punës. Ajo u bëri thirrje deputetëve socialistë që t’i bashkohen protestës së opozitës, duke paralajmëruar përjashtime të mundshme nga partia.

“Shoh që paskeni ardhur pas vakisë së të shtunës. E pashë dhe kujtova nga arkivat pleniumet e Partisë së Punës, atë që kishte lënë mangët Partia e Punës. Ky i binte pleniumit të 18-të, ku udhëheqësi shpalli armiqtë e brendshëm. PS-ja është kthyer në zgjatim personal të Ramës, që merret vetëm me hallet e një grupi njerëzish që e rrethojnë për të mbajtur karrigen.

Ngado që shkoni do të keni protestën që ju ndjek dhe protestë madhështore më 28 nëntor. Fundi do të jetë i shpejtë dhe i hidhur për këdo që i shërben në mënyrë të verbër atij që shkatërron të ardhmen e qytetarëve shqiptarë. Ju bëj thirrje të reflektoni që të mos jeni të radhës që përjashtoheni ose thjesht hiqeni nga listat e ardhshme, por reagoni në mbrojtje të dinjitetit të qytetarëve, tuajit dhe të mirës, sa pa ardhur radha juaj”, deklaroi Zhupa.

Në përgjigje, deputetja socialiste Briseida Çakërri i kërkoi Zhupës të mos merrej me zhvillimet brenda PS-së, por të përqendrohej te rendi i ditës së komisionit.

“Ju nuk mund të flisni për armiq të brendshëm, sepse nuk dini ku e keni drejtuesin. Mos u merrni me thashetheme partish, por të diskutojmë rendin e ditës”, u shpreh Çakërri.

Debati vijoi edhe me replika të tjera. Zhupa iu drejtua socialistëve me një tjetër ironi, duke iu referuar një shprehjeje të kryeministrit Edi Rama.

“Ju shkon për shtat thënia e Ramës: ‘Hëngshit kokat e njëri-tjetrit’”, vijoi Zhupa.

Nga ana tjetër, deputetja e PS-së, Evis Kushi, i sugjeroi kryetares së komisionit të përqendrohej te situata brenda Partisë Demokratike.

“Mirë bëni që studioni e lexoni pleniumet e Partisë së Punës, edhe statutin e PS-së, se përvojë është, por në vend që të merreni me partinë tonë, merruni me tuajën, me demokratët, se i keni lënë jetimë, i keni lënë në mes të rrugës”, tha Kushi.