A ju ka ndodhur të dëgjoni një zhurmë të vazhdueshme në vesh, një fishkëllimë, gumëzhimë apo cicërimë, edhe kur përreth jush mbizotëron heshtja? Për disa njerëz është një shqetësim i përkohshëm, ndërsa për të tjerë kthehet në një problem të vazhdueshëm që ndikon në gjumin, përqendrimin dhe cilësinë e jetës. Ky fenomen njihet si tinitus. Por pse shfaqet? A lidhet me dëmtimin e dëgjimit, stresin, qarkullimin e gjakut apo probleme të tjera shëndetësore? A mund të ndikohet nga ushqyerja dhe mënyra e jetesës? Dhe mbi të gjitha, çfarë mund të bëjmë për ta lehtësuar? Për të kuptuar më gjerësisht rreth shkaqeve, faktorëve ndikues dhe mundësive natyrore për të mbështetur shëndetin e veshëve, flasim në "Rreze Dielli" në Report Tv, me specialistin e bimëve mjekësore Ylli Merja.

“Tinitusi është perceptimi i një tingulli në vesh, si zhurmë, gumëzhimë ose fishkëllimë, pa pasur domosdoshmërisht një burim të jashtëm të tingullit. Ai përshkruhet si simptomë dhe jo si sëmundje më vete. Nga simptomat që shkakton zhurma në vesh ne mund të kuptojmë dhe shkaktarin”, shprehet Merja.

Simptomat kryesore:

  • Zhurmë e lehtë dhe bllokim i veshit, mund të vijë nga problemet me dyllin
  • Zhurmë ose gumëzhimë në vesh, pulsim, mund të vijë dhe nga presioni i lartë i gjakut
  • Dhimbje veshi dhe bllokim, tregon një infeksion
  • Zhurmë në vesh jo konstante, vështirësi në përqendrim, pagjumësi dhe ankth, si pasojë e një lodhje nervore
  • Dhimbje, rrjedhje nga veshi, marramendje si pasojë e ndikimit të veshit të mesëm
  • Ulje të dëgjimit, prania e një sasie të lartë dylli, por dhe faktorë të tjerë…

Sipas Merjas, shkaktarët e mundshëm të këtyre zhurmave në vesh janë:

Ekspozimi ndaj zhurmave të forta: Puna me makineri, muzika me volum të lartë dhe përdorimi i kufjeve mund të lidhen me dëmtimin e dëgjimit.

Grumbullimi i dyllit në vesh: Mund të shkaktojë bllokim të kanalit të veshit dhe ulje të dëgjimit, dëgjim të mbytur.

Infeksionet bakteriale: Mund të shoqërohen me dhimbje, ngushtim ose bllokim të kanalit të veshit dhe ulje të dëgjimit.

Sëmundja Menière e veshit të mesëm: Jep episode marramendjeje, ndjesi rrotullimi dhe humbje të ekuilibrit.

Problemet me nofullën: Shtrëngimi i nofullës dhe kërcitja e dhëmbëve mund të shoqërohen me ndryshim të zhurmës gjatë përtypjes.

Problemet e qafës (cervikale): Spondiloartroza cervikale mund të shtypë dhe dobësojë nervat.

Shkaqet vaskulare: Kur zhurma përputhet me ritmin e rrahjeve të zemrës.

“Trajtimi i zhurmës në vesh, bëhet pasi kemi zbuluar shkakun e vërtetë”, thekson Merja.

Në rastin e bllokimit nga dylli, hedhim një pikë vaj ulliri në vesh, bëhet një pastrim i veshit me ujë të ngrohtë dhe pas larjes thajmë veshin.

Në rastin e kruarjes së veshit, që mund të vijë si pasojë e mykut, përdorim ekstraktin e hudhrës.

Në rastin e dhimbjes dhe uljes së dëgjimit hedhim në tigan ose zhezve 1 lugë vaj ulliri ose raki, 4-5 thelpinj hudhër, ¼ qepë, 2-3 feta presh, 1/2 kokërr arre, 5-6 kokrra kafe ose 2-3 karafila. I nxehim mbi sobë sa të vlojnë 2-3 minuta. E kullojmë dhe pasi të ftohet lyejmë kanalin e jashtëm të veshit 1-2 herë në ditë. Hedhim në vesh 1-2 pika nga lulja e akullit.

Nëse zhurma në vesh nuk është konstante dhe ka shkak stresin, ankthin apo lodhjen nervore përdorim vajin harmonia, pihet 2 herë në ditë nga 4 pika, hedhim në vesh 1 pikë, pas veshit 3-4 pika dhe bëjmë një masazh 2-3 minuta.

Në rast të bllokimit të kanalit të Eustakut, për shkak të infeksioneve virale apo bakteriale, përdorim antispetikun bimor ose bëjmë avull me çaj sinositi.

Nëse zhurma është shumë shqetësuese, kemi ndjesi humbje të dëgjimit, apo nëse timpani është shpuar asgjë nuk hedhim në vesh, por shkojmë dhe konsultohemi direkt me mjekun.