Aktualitet

Reshjet e dendura shkaktojnë probleme në Kukës dhe Tropojë, dëmtime në urën e Mërturit dhe rrëshqitje gurësh në rrugë

Reshjet e shiut vijojnë të shkaktojnë problematika në Qarkun Kukës, veçanërisht në zonat malore.

Në aksin rrugor Kukës-Shishtavec janë regjistruar rrëshqitje të gurëve të mëdhenj në rrugë. Firma mirëmbajtëse ka ndërhyrë në kohë me mjete të rënda për largimin e tyre dhe normalizimin e qarkullimit.

Problematike paraqitet edhe situata në Lekbibaj të Tropojës. Rritja e nivelit të lumit të Currajve ka sjellë dëmtime në urën e Mërturit. Prurjet e fuqishme kanë prekur bazamentin, por edhe platformën e urës në pjesën e mesit, aty ku kalojnë këmbësorët dhe automjetet. Ndërkohë, është përmbytur edhe rruga drejt lagjia Hasaj.

Përmes një njoftimi, Bashkia Tropojë u ka bërë apel qytetarëve të tregojnë kujdes maksimal dhe të shmangin lëvizjet e panevojshme, si me automjete ashtu edhe në këmbë.

Bashkia bën me dije se është në koordinim me njësitë administrative dhe kompaninë mirëmbajtëse, ndërsa mjetet dhe punonjësit janë në gatishmëri për ndërhyrje.

Sipas raportimit të mesditës, të gjitha akset nacionale në Qarkun Kukës vijojnë të jenë të qarkullueshme, ndërsa situata mbetet nën monitorim.