Nga Prof. Asoc. Dr. Pëllumb Karameta
Në Shqipëri, politika prodhon lajme, akuza, protesta dhe përplasje. Qeveria dhe opozita debatojnë për pushtetin, ndërsa qytetarët përpiqen të kuptojnë nëse vendi po përparon apo përsërit konfliktet. Por pas ngjarjeve të ditës zhvillohet një proces historik që debati publik rrallë e ndriçon.
Shqipëria po përjeton një transformim të dyfishtë. Nga njëra anë, po konsolidon marrëdhëniet kapitaliste, formimi i të cilave nisi gjatë viteve 1990–1992. Nga ana tjetër, po integrohet në një rend ekonomik, juridik dhe institucional europian që ndikon mbi funksionimin e shtetit. Për ta kuptuar këtë periudhë, duhet të shqyrtojmë marrëdhëniet ndërmjet kapitalit, pushtetit dhe institucioneve. Shtatë tezat që vijojnë përbëjnë, në vlerësimin tim, një sintezë të karakteristikave të këtij transformimi.
Teza 1. Tranzicioni shqiptar nuk është thjesht kalim nga diktatura në demokraci, por transformim historik i marrëdhënieve ekonomike, politike dhe institucionale.
Gjatë viteve 1990–1992, Shqipëria nisi të largohej nga ekonomia ku pothuajse të gjitha mjetet e prodhimit ishin në pronësi shtetërore ose kolektive. Kalimi në kapitalizëm kërkonte ndryshimin e pronësisë, krijimin e tregjeve, të sipërmarrjes private dhe të institucioneve që garantojnë marrëdhëniet ekonomike.
Pluralizmi politik u vendos shpejt. Por kapitalizmi nuk mund të ndërtohej vetëm me privatizime dhe zgjedhje shumëpartiake. Formimi i kapitalit privat, ndërtimi i institucioneve të tregut dhe riorganizimi i pushtetit politik u zhvilluan njëkohësisht, shpesh në kundërshtim me njëri-tjetrin. Prandaj, tranzicioni ynë nuk është thjesht një periudhë që filloi gjatë viteve 1990–1992. Ai është proces transformimi, konsolidimi i të cilit kërkon institucione që rregullojnë qëndrueshëm marrëdhëniet ekonomike dhe politike.
Teza 2. Formimi i kapitalit privat krijoi një strukturë të re ekonomike, por edhe kontradikta në mënyrën e krijimit dhe shpërndarjes së pasurisë.
Privatizimet, shpërndarja e tokës, investimet, kursimet e emigrantëve dhe sipërmarrja krijuan pronarë të rinj dhe zhvilluan ekonominë private. Një pjesë e kapitalit u formua nëpërmjet punës, kursimeve dhe investimeve prodhuese. Krahas tij, u zhvilluan forma pasurimi të mbështetura te informaliteti, përvetësimet e paligjshme dhe privilegjet administrative.
Konfliktet e pronësisë, ndërtimet informale dhe pabarazitë e përfitimit dëshmojnë se krijimi i kapitalit privat nuk u shoqërua gjithmonë me rregulla të qarta dhe konkurrencë të ndershme. Transformimi filloi të krijojë një strukturë të re pronësie dhe të formësojë interesa që ndikojnë mbi ekonominë dhe vendimmarrjen politike.
Teza 3. Interesat ekonomike të krijuara gjatë tranzicionit ndikojnë në konkurrencën politike dhe mund të pengojnë reformat që synojnë kufizimin e privilegjeve.
Në një ekonomi ku shteti vendos për kontrata, koncesione, leje dhe burime publike, pushteti politik mbetet instrument me rëndësi ekonomike. Konkurrenca ndërmjet partive mund të ndërthuret me interesa që kërkojnë të ruajnë pozitat e fituara ose të sigurojnë përparësi. Reformat që forcojnë ligjshmërinë, transparencën dhe konkurrencën mund të ndeshin rezistencën e përfituesve të rregullave të mëparshme.
Kjo nuk do të thotë se çdo kundërshtim ndaj qeverisë mbron privilegje. Për të kuptuar konfliktet politike shqiptare, krahas argumenteve të partive, duhet shqyrtuar edhe përmbajtja ekonomike e interesave që ndërthuren me konkurrencën politike.
Teza 4. Tranzicioni kërkon lidership të fortë demokratik, të aftë të kapërcejë rezistencën ndaj reformave dhe të ndërtojë institucione të qëndrueshme.
Kur institucionet janë të brishta dhe interesat ekonomike ushtrojnë trysni mbi vendimmarrjen publike, kapërcimi i rezistencës ndaj reformave kërkon drejtim politik të qëndrueshëm, të mbështetur në legjitimitet demokratik. Forca e tij qëndron në aftësinë për të përcaktuar drejtimin e zhvillimit, për të përballuar interesat e konsoliduara dhe për të siguruar vazhdimësinë e reformave. Shtetit shqiptar iu desh t’i ndërtonte kryesisht nga e para institucionet e ekonomisë së tregut. Procesi kërkoi dhe kërkon vendimmarrje të qëndrueshme, koordinim institucional dhe përgjegjësi politike afatgjatë.
Ndërkaq, drejtimi demokratik nuk nënkupton pushtet të pakufizuar në ushtrimin e tij, as qëndrim në pushtet pa legjitimim periodik nëpërmjet zgjedhjeve. Ky drejtim ushtron autoritetin duke respektuar konkurrencën demokratike, kontrollin parlamentar, drejtësinë e pavarur dhe llogaridhënien. Forca e tij nuk matet nga pushteti që përqendron, por nga aftësia për të realizuar reforma dhe për të ndërtuar institucione të pavarura prej tij.
Teza 5. Reforma në drejtësi është mekanizëm konkret i transformimit të marrëdhënies ndërmjet pushtetit politik dhe autoritetit të ligjit.
Reforma në drejtësi e vitit 2016 përbën një nga ndërhyrjet më të rëndësishme në organizimin e shtetit shqiptar pas pluralizmit. Partia Socialiste, si forca kryesore e shumicës qeverisëse, pati rol udhëheqës politik në realizimin e reformës. Ndryshimet kushtetuese u miratuan me konsensus parlamentar. Reforma u mbështet nga Bashkimi Europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Në këtë proces, lidershipi qeverisës dëshmoi aftësinë për të ndërmarrë dhe realizuar ndryshime të rëndësishme institucionale.
Ndryshimet kushtetuese, rivlerësimi i gjyqtarëve dhe prokurorëve, institucionet e reja dhe veprimtaria e SPAK-ut synojnë të kufizojnë ndikimin politik mbi drejtësinë dhe të forcojnë autoritetin e ligjit. Rëndësia historike e reformës qëndron te ndryshimi i marrëdhënies ndërmjet pushtetit dhe drejtësisë. Kur institucionet hetojnë zyrtarët në pushtet, autoriteti politik fillon t’i nënshtrohet kontrollit institucional.
Ndërkohë, suksesi i reformës nuk matet vetëm me hetimet dhe ndëshkimet. Ai vlerësohet edhe nga pavarësia, paanshmëria, respektimi i procedurave dhe siguria juridike për qytetarët dhe ekonominë.
Teza 6. Integrimi europian mund të jetë faktori përcaktues që përshpejton transformimin institucional të Shqipërisë.
Shqipëria është shtet i vogël në kontekstin europian. Përmasat ekonomike, ndërvarësia me tregun europian dhe objektivi i anëtarësimit krijojnë marrëdhënie asimetrike me Bashkimin Europian. Megjithatë, kjo marrëdhënie përfaqëson një mundësi historike për të përshpejtuar konsolidimin institucional. BE-ja është partneri kryesor tregtar dhe investues i Shqipërisë, si dhe burim i rëndësishëm i mbështetjes financiare. Ndikimi i saj shtrihet në legjislacion, administratë, drejtësi dhe standardet e qeverisjes.
Përparimi në negociatat e anëtarësimit kushtëzohet nga standarde që verifikohen nga institucionet europiane. Qeveria që synon përshpejtimin e anëtarësimit duhet të realizojë reforma që forcojnë institucionet e pavarura dhe kufizojnë ndërhyrjen politike mbi to. Reforma në drejtësi është shembull i këtij ndikimi shtetformues. Përvoja e Hungarisë tregon se BE-ja disponon mekanizma juridikë dhe financiarë për të reaguar ndaj problemeve të shtetit të së drejtës, edhe pse ndikimi i tyre nuk është i garantuar.
Teza 7. Ndërveprimi i lidershipit të fortë demokratik, drejtësisë së pavarur dhe integrimit europian mund të përshpejtojë kapërcimin e kontradiktave të tranzicionit shqiptar.
Këtu bashkohen tri procese të ndërvarura. Drejtimi politik siguron vazhdimësinë e reformave. Drejtësia e pavarur kontrollon ligjshmërinë e ushtrimit të pushtetit. Integrimi europian përcakton standarde dhe ushtron trysni për zbatimin e tyre. Ndërveprimi i tyre mund të përshpejtojë transformimin institucional të Shqipërisë.
Por këto procese nuk përforcojnë domosdoshmërisht njëri-tjetrin. Ato japin rezultat vetëm nëse vendimmarrja politike pranon kontrollin institucional dhe reformat ndryshojnë funksionimin e shtetit. Prandaj, zhvillimet shqiptare nuk duhen gjykuar vetëm nga konfliktet politike të ditës. Funksionimi i drejtësisë, siguria e pronësisë, konkurrenca ekonomike dhe përparimi i integrimit janë tregues të transformimit historik.
Shqipëria nuk ka nevojë për pushtet politik që të jetë përgjithmonë i fortë sepse institucionet janë të dobëta. Ajo ka nevojë për institucione aq të forta, sa funksionimi i shtetit të mos varet vetëm nga forca e drejtuesit. Vlera historike e lidershipit të fortë demokratik qëndron në aftësinë për të kapërcyer kontradiktat e tranzicionit dhe për të ndërtuar institucione që nuk varen prej tij.
Pikërisht këtu qëndron paradoksi i tij historik.
Duhet të jetë mjaftueshëm i fortë për të ndërtuar një shtet që nuk ka më nevojë për drejtues të fortë.










