Konfindustria ka paraqitur në Komisionin e Veprimtarive Prodhuese në Kuvend një sërë propozimesh për përmirësimin e projekt-Paketës Fiskale 2027.
Tre propozimet janë:
- Heqja e ‘Taksës së Qarkullimit” prej 27 lekë/litër plus TVSH të përcillet e plotë në çmimin fundor për konsumatorët dhe të mos përfundojë si “superfitim” për tregëtarët dhe të ardhura “shtesë” për buxhetin e shtetit.
- Çmimet fundore të karburanteve në Shqipëri të garantohet të mos jenë më të larta se mesatarja e shteteve fqinje të Rajonit ( Maqedoni e Veriut, Kosovë, Mal i Zi)
- Vlera e plotë e “Taksës vjetore për automjetet”të mos jetë më e lartë se mesatarja e shteve fqinjë të Rajonit( Maqedoni e Veriut, Mal i Zi dhe Kosovë”
Konfindustria shprehu në Komision shqetësimin e bazuar për rrezikun e rritjes së fortë të mëtejshme të kostove të përgjithshme të transportit për qytetarët dhe bizneset deri në të paktën 200 milion euro nga zbatimi i projektit të Paketës Fiskale 2027 të paraqitur nga qeveria.
Mungesa e konkurencës në tregun kartel dhe oligopol të karburanteve rrezikon seriozisht, që heqja e “taksës së qarkullimit” prej 27 lekë/litër të mos përcillet e plotë në çmimin e blerjes për konsumatorët fundorë, por të përfundojë drejtëpërdrejtë në “fitim shtesë”për tregëtarët dhe të ardhura shtesë për buxhetin e shtetit dhe goditje e rëndë për interesin publik.
Taksa e qarkullimit në regjimin e sotëm fiskal sjell afër 230-240 milion euro/vit për buxhetin e shtetit dhe parashikohet të zëvendësohet e plotë dhe të paguhet e 2-fishtë nga rritja e taksave vjetor të mjeteve motorrike për qytetarët dhe bizneset në kushtet e mosgarantimit ligjor të uljes së çmimit fundor të karburanteve.
Konfindustria vlerëson, se në rast të mos marrjes parasysh të propozimit të mësipërm pasojat e rritjes së metejshme të kostove të përgjithshme të transportit do të jenë mjaft të rënda për uljen e konkurueshmërisë së ekonomisë shqiptare, industritë, prodhimin vendor, tërheqjen e investimeve, falimentime dhe goditje e ashpër për mirëqënien e qytetarëve shqiptarë.
Sa më sipër mund të rrezikojë drejtëpërdrejtë në vitin 2027 e në vazhdim përveç treguesve kryesorë ekonomikë edhe qëndrueshmërinë shoqërore dhe rendin kushtetues, mbyllet deklarata e Konfindustrisë.
© SYRI.net