Afrim Qëndro largohet nga IKMT: “Pas nëntë muajsh, largohem me mirënjohje dhe respekt”

Afrim Qëndro ka konfirmuar largimin nga drejtimi i Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit (IKMT), përmes një mesazhi të gjatë falënderimi, ku ka bërë edhe një bilanc të punës së tij gjatë nëntë muajve në krye të institucionit.
Në mesazhin e tij, Qëndro shpreh mirënjohjen për Kryeministrin Edi Rama, zëvendëskryeministren Albana Koçiu, ministrat Besfort Lamallari dhe Ervin Demo, si dhe për të gjithë punonjësit e IKMT-së, me të cilët thotë se ndau sfida dhe përgjegjësi gjatë kësaj periudhe.
Gjatë bilancit të punës, ai veçon ristrukturimin e burimeve njerëzore, përmirësimin e imazhit të institucionit, luftën kundër ndërtimeve të paligjshme, bashkëpunimin me ARRSH-në për projektet publike dhe pastrimin e akseve rrugore.
Një tjetër prioritet, sipas Qëndros, ka qenë rritja e kontrolleve dhe monitorimit të sigurisë në kantieret e ndërtimit, me synimin për të mbrojtur jetën e punonjësve. Ai thekson gjithashtu trajtimin e ankesave të qytetarëve, përfshirë edhe ato të mbartura prej vitesh.
“Largohem nga kjo detyrë me respekt për institucionin, me mirënjohje për të gjithë bashkëpunëtorët dhe me kënaqësinë që në këta nëntë muaj arritëm të bëjmë punë konkrete, të vendosim prioritete të qarta dhe të hedhim themele për një IKMT më të mirë”, shprehet Qëndro.
Në përfundim, ai thekson se puna e institucionit duhet të vijojë edhe pas largimit të drejtuesit, duke ruajtur standardet e vendosura dhe angazhimin për mbrojtjen e territorit, mjedisit dhe zbatimin e ligjit.
“Jam i bindur se puna e mirë nuk duhet të ndalet me largimin e një drejtuesi. Përkundrazi, ajo duhet të vazhdojë, të konsolidohet dhe të çojë përpara standardet e vendosura”, përfundon mesazhin e tij Afrim Qëndro.
360grade.al



















