Gjykata e Durrësit ka refuzuar kërkesën për gjykim të shkurtuar të Nikollë Radaçit, drejtuesit të automjetit që më 3 maj 2026 përplasi për vdekje dy fëmijë në zonën e ish-Kënetës, ndërsa një tjetër mbeti i plagosur. Me vendimin e shpallur këtë të hënë, më 16 nëntor, çështja është dërguar për gjykim në themel për akuzën e shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor me pasojë vdekjen e dy të miturve.
Gjatë seancës, gjykata vendosi gjithashtu të deklarojë të papërdorshme procesverbalin për marrjen e mostrës së gjakut ndaj Radaçit dhe aktin e ekspertimit toksikologjik-ligjor, të hartuar më 13 maj 2026. Këto akte do të përjashtohen nga fashikulli i gjykimit dhe do t’i kthehen prokurorit.
Ndërkohë, gjykata vendosi pushimin e hetimeve për akuzën e drejtimit të automjetit në mënyrë të parregullt, të parashikuar nga neni 291 i Kodit Penal, pasi kjo vepër penale është përfshirë në ligjin e amnistisë nr. 57/2026.
Sipas vendimit, Radaçi do të gjykohet për veprën penale të parashikuar nga neni 290, paragrafi 4, i Kodit Penal, që lidhet me shkeljen e rregullave të qarkullimit rrugor me pasojë vdekjen. Gjykata urdhëroi gjithashtu formimin e fashikullit të gjykimit me aktet e hetimeve paraprake, me përjashtim të dokumenteve të deklaruara të papërdorshme.
Vendimi për dërgimin e çështjes në gjyq nuk mund të ankimohet, ndërsa pushimi i hetimeve për akuzën e drejtimit të parregullt mund të kundërshtohet në Gjykatën e Apelit brenda 15 ditëve nga komunikimi i vendimit të arsyetuar. Refuzimi i gjykimit të shkurtuar mund të ankimohet së bashku me vendimin përfundimtar ose jo përfundimtar të gjykatës kompetente.
Tashmë, çështja do të shqyrtohet në gjykimin në themel, ku do të vlerësohet përgjegjësia penale e Nikollë Radaçit për aksidentin tragjik që u mori jetën dy fëmijëve.


