Gazetari dhe publicisti Blendi Fevziu ishte i ftuar në podcastin “Pjaca në Media Radar” dhe në Pjaca Media, në një bisedë me gazetarin Alfred Pezën, ku në fokus ishte historia e Tiranës, nga gjurmët e qytetit të hershëm deri te transformimet që ka pësuar ndër vite.
I pyetur nga Alfred Peza se çfarë i ka mbetur në mendje dhe për çfarë i vjen keq nga Tirana e viteve që përshkruan në librin e tij, Fevziu u ndal te historia e qytetit, duke theksuar se rrëfimi i tij nuk nis vetëm nga Tirana që ka njohur personalisht, por shkon shumë më herët në kohë.
BLENDI FEVZIU: Në libër nuk përshkruaj vetëm Tiranën që njoh unë, por edhe atë të mëparshmen. Tirana është një qytet shumë interesant, pjesa urbane e të cilit u krijua në vitin 1614. Brenda Kalasë ndodhet shtëpia e Libohovëve, si dhe shtëpia e Selim Pashë Toptanit, më e madhja banesë private në Ballkan në shekullin XIX, duke lënë pas edhe Stambollin, Athinën, Beogradin, Shkupin etj.
Ishte një shtëpi me më shumë se 30 dhoma. Gjysma e saj u dogj nga Haxhi Qamili, ndërsa gjysma tjetër është ajo që ndodhet ende brenda Kalasë. Në cep të saj është shtëpia ku ka ndërruar jetë Sulejman Pashë Bargjini, themeluesi i Tiranës.
Ajo u rindërtua nga Toptanasit në fillim të shekullit XX. Baza e shtëpisë ka motive greke dhe është e vetmja shtëpi e hershme e dokumentuar me hamam brenda.
https://www.instagram.com/reel/Dfz1N_yDLOG/?dlrf=MWZvZzQ0ODBjdmhlNA==


