
Objektivi i Rusisë është i qartë: të rrisë tensionet me Europën, të krijojë konfuzion dhe nervozizëm, ndërkohë që amerikanët këmbëngulin që edhe europianët të ulen në tryezën e negociatave mes Moskës dhe Kievit. Pikërisht në këtë këndvështrim duhen interpretuar deklaratat e zëdhënësit të Kremlinit, Dmitri Peskov, për korrespondentin e Vesti, Pavel Zarubin.
Peskov e lidh zgjidhjen e konfliktit në Ukrainë me ripërcaktimin e arkitekturës së sigurisë në Europë. “Në një moment të caktuar do të na duhet ta diskutojmë këtë çështje me evropianët. Pyetja është nëse ata e dëshirojnë vërtet paqen. Nëse nuk e dëshirojnë, atëherë diskutime të tilla do të jenë të kota”, deklaroi ai, duke shtuar se Rusia, “duke qenë se nuk ka hapësirë për negociata, do të duhet të veprojë me forcë”.
Provokimet shoqërohen me akte sabotazhi që synojnë të destabilizojnë vendet europiane të cilat vazhdojnë të mbështesin Ukrainën. Estonia ka njoftuar se, duke filluar nga 1 dhjetori, do të mbyllë të gjitha pikat e kalimit kufitar me Rusinë, “pas sigurimit të provave të pakundërshtueshme se GRU-ja, shërbimi rus i inteligjencës ushtarake, ka urdhëruar një operacion sabotazhi kundër një kompanie estoneze të industrisë së mbrojtjes”.
Kremlini dhe sabotazhet në Estoni
Tetë persona, të dyshuar se kanë tentuar t’i vënë zjarrin selisë së kompanisë prodhuese të dronëve Threod Systems, janë arrestuar në Estoni gjatë natës mes së premtes dhe së shtunës. Ministri i Jashtëm, Margus Tsahkna, shpjegoi se “Rusia duhet ta kuptojë se çdo akt armiqësor kundër Estonisë do të ketë pasoja” dhe se përpjekjet për të “frikësuar, destabilizuar apo cenuar” sigurinë e vendit baltik, anëtar i NATO-s, “nuk do të mbeten të pandëshkuara”.
Deri më tani, Talini ka mbajtur të hapura tri pika kufitare me Rusinë për kalimin e këmbësorëve dhe të mallrave. Qarkullimi i automjeteve përmes pikës kufitare të Narvës u pezullua nga Moska në shkurt të vitit 2024. Finlanda e mbylli të gjithë kufirin tokësor me Rusinë në dhjetor të vitit 2023. Vazhdojnë të funksionojnë, ndonëse me kufizime, pikat kufitare të Letonisë me Rusinë, si dhe ato të Lituanisë dhe Polonisë me eksklavën e Kaliningradit.
Në Bruksel nuk habiten nga kërkesat maksimaliste të Rusisë, të cilat konsiderohen si pjesë e mënyrës së negocimit të Moskës: nisja e bisedimeve nga një pozicion tejet i ashpër, në shumë aspekte fyes. Ekziston vetëdija se këto kërkesa do t’i vënë në siklet shtetet anëtare. Tashmë është e qartë se nuk bëhet fjalë për negociata normale, por për një proces mjaft të paqëndrueshëm.
Komisioni Europian do të nisë të ashtuquajturat “rrëfime konfidenciale” për paketën e 22-të të sanksioneve kundër Moskës, pra takime dypalëshe me dyer të mbyllura me shtetet anëtare, gjatë të cilave do të diskutohet edhe kredia prej 45 miliardësh për Kievin, që do të prezantohet të mërkurën.
Mandati për negociatat
Një tjetër çështje qendrore është përcaktimi i mandatit negociues të formatit E7 – Mbretëria e Bashkuar, Franca, Gjermania, Italia, Polonia, Komisioni Europian dhe Këshilli Europian – përpara raundit të ardhshëm të negociatave. Ka gjasa që europianët të përqendrohen te rindërtimi, ndërsa arkitektura e sigurisë do të jetë kryesisht kompetencë e NATO-s.
Ndërkohë, dje Volodimir Zelenski i drejtoi një tjetër apel Musk-ut: “Të heqë kufizimet ndaj Starlink-ut dhe të qëndrojë në anën e duhur të historisë”.
Bllofi që bën Putini: të shfrytëzojë përçarjet në Perëndim për një rend të ri
Riformësimi i Europës pa Europën. Nuk është thjesht titulli i një prej emisioneve të shumta televizive të fundjavës. Mund ta shtjellojmë sa të duam, por në fund të fundit, kthesa në strategjinë e Vladimir Putinit përmblidhet pikërisht në këtë. Duke mos arritur më ta marrë Kievin në tri javë, madje as në pesë vjet, ai synon të bëjë goditjen e madhe, duke shfrytëzuar prirjen e deklaruar të Donald Trumpit për ta konsideruar çështjen ukrainase si një shënim anësor, një temë pa rëndësi.
Objektivi më ambicioz ndër ata të deklaruar që prej vitit tashmë të largët 2021, të cilin synon ta arrijë tani, qoftë edhe duke përplasur grushtet mbi tryezë. Sepse klima është e favorshme për të siguruar rezultatin maksimal të mundshëm, por pas zgjedhjeve amerikane të mesmandatit, koha në dispozicion për ta arritur atë nuk është e madhe.
Sinjali i parë kishte ardhur drejtpërdrejt nga bisedimet e fundit në Abu Dabi. Sergei Riabkov, zëvendësministër i Jashtëm dhe anëtar i delegacionit rus, kishte dalë nga salla e takimeve për të deklaruar se nuk po diskutohej vetëm për Ukrainën, por për një rend të ri, të aftë për të zëvendësuar “prirjet drejt përshkallëzimit” me bashkëjetesën.
Kaq i kishte mjaftuar Vzgljad-it, gazetës online të lidhur me qarqet qeveritare dhe Kremlinin, për të njoftuar me tone triumfuese se Moska kishte “filluar të ridizenjonte sigurinë europiane”.
Bllofi që po luan Kremlini
Makineria e propagandës ishte vënë në lëvizje që një javë më parë. Por mes gjithë këtyre fanfarave, po shfaqen edhe analiza më të kujdesshme, të cilat, të paktën në mënyrë të tërthortë, tregojnë se janë të vetëdijshme për bllofin që po përpiqet të luajë Kremlini.
Analiza më e kthjellët dhe më pak euforike është ajo e Elena Paninës, drejtoreshë e institutit moskovit Russtrat (Strategjia Ruse).
“Uashingtoni nuk mund t’i ketë harruar propozimet ruse të vitit 2021. Nëse kërkon një projekt të ri, e bën për të kuptuar se çfarë dëshiron Moska, në kushtet kur Finlanda dhe Suedia janë pjesë e NATO-s dhe Europa po riarmatoset. Dhe kërkon diçka në këmbim. Kërkesat e asaj kohe bëhen objekt negociatash të ndërsjella: një njohje e agjendës sonë, por edhe një mënyrë për t’i përcaktuar kufijtë e saj”.
Sipas Paninës, Shtëpia e Bardhë po kalon nga politika e frenimit ushtarak në një “konkurrencë strategjike të menaxhuar”, të mbështetur në traktate, për të shpenzuar më pak në Europë dhe për ta drejtuar vëmendjen diku tjetër.
“Objektivat e SHBA-së dhe Rusisë janë të ndryshëm, por për herë të parë duket se ka hapësirë për një kompromis”.
Edhe kalendari është i favorshëm. Më 19 nëntor, në Shenzhen, është konfirmuar samiti i parë trepalësh mes Shteteve të Bashkuara, Kinës dhe Rusisë. Zyrtarisht, do të diskutohet për sigurinë bërthamore dhe inteligjencën artificiale, jo për Ukrainën.
Aleksei Zhuravlev, deputet ultranacionalist dhe drejtues i partisë “Atdheu”, sheh pak ngjashmëri me Jaltën, përveç faktit se pjesëmarrësit janë tre dhe se Europa kontinentale nuk është ftuar, ashtu si atëherë, edhe sot.
Takimi i tre udhëheqësve
“Takimi mes udhëheqësve të Rusisë, Shteteve të Bashkuara dhe Kinës mund të hedhë padyshim themelet e arkitekturës së re të sigurisë globale, për të cilën flet presidenti ynë. Ky është një sinjal i qartë se epoka e një bote njëpolare, të dominuar nga Amerika, ka marrë fund dhe se po afron momenti për të negociuar rregulla të reja. Është pozitive që Trumpi e kupton këtë. Është e mrekullueshme që Xi Jinping mund të përfshihet në hartimin e këtyre rregullave”.
Ndërkohë, Konstantin Kosachev, nënkryetar i Këshillit të Federatës, përcakton çmimin që duhet të paguajë Kievi: rikthimin te Kushtetuta e fillimit të viteve ’90, që parashikonte statusin e një vendi të paangazhuar në aleanca dhe pa armë bërthamore, duke hequr aspiratën për anëtarësim në NATO, të përfshirë në Kushtetutë në vitin 2019.
Kushtet e marrëveshjes, shton ai, nuk shkruhen në Abu Dabi apo në Stamboll, “por përgjatë vijës së frontit”.
Fjodor Lukianov, drejtor i revistës Russia in Global Affairs dhe drejtues shkencor i Klubit Valdai, forumit ku çdo vjeshtë Putini paraqet vizionin e tij për botën, pohon se Europa, “ashtu siç është”, është “krejtësisht e papërshtatshme për negociata”, por e aftë “vetëm për të mbjellë kaos”.
Në gazetën Moskovskij Komsomolets, komentatori politik Mihail Rostovski bën thirrje për kujdes. Negociatat në një format më të gjerë mbeten ende abstrakte. Rusia vazhdon të mbështetet te rraskapitja e Kievit dhe te përçarjet në Perëndim, veçanërisht tek ato që mund të lindin në të ardhmen. “Bëhet ende fjalë për një lojë afatgjatë”.
Por këtë herë, ajo që është në lojë nuk është më vetëm Donbasi. Dhe për Putinin, ky është tashmë një sukses. / Corriere della Sera