Aktivisti Erion Murataj ka akuzuar Policinë e Shtetit se po pengon ushtrimin e së drejtës kushtetuese për protestë, duke vendosur gjoba ndaj qytetarëve që kërkojnë të zhvillojnë tubime paqësore.

Në një prononcim për News24, nga sheshi ku po zhvillohet protesta, Murataj deklaroi se qytetarët kanë njoftuar policinë për tubimin përmes sallës operative, ndërsa sipas tij, institucioni ka detyrimin të garantojë zhvillimin e tij dhe jo ta pengojë.

Ai tha se më datë 10 i kanë dërguar një e-mail Policisë, duke iu referuar të drejtës kushtetuese dhe dispozitave europiane që garantojnë lirinë e tubimit. Sipas Muratajt, përgjigjja e policisë është mbështetur në pretendime që ai i cilësoi si të pabazuara ligjërisht.

“Ne i thamë që nenet e Kushtetutës, të drejtat europiane, nenet kushtetuese sanksionojnë të drejtën e qytetarëve të protestojnë të lirë. Mjafton njoftimi në sallën operative dhe është detyrë e policisë të garantojë tubimin. Sot, në vend që të mbrojnë qytetarët, kufizojnë lirinë e qytetarëve dhe mbrojnë krimin e organizuar”, u shpreh Murataj.

Aktivisti e konsideroi të papranueshme mënyrën sesi policia po trajton qytetarët që kërkojnë të ushtrojnë të drejtën e tyre për protestë, duke e akuzuar institucionin se, në vend të garantimit të lirive qytetare, po vendos pengesa dhe gjoba ndaj protestuesve.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: