
Një aksident me pasoja fatale ka ndodhur në autostradën Fier-Vlorë, pranë Novoselës, duke i marrë jetën një zyrtari të lartë të Policisë së Vlorës. Viktima është Ermal Lula, shefi i Krimeve të Rënda në Policinë e Vlorës, i cili ka humbur jetën pas përplasjes së automjetit me të cilin udhëtonte me një mjet të rëndë pune, tip skrep.
Nga aksidenti ka mbetur i plagosur edhe një person tjetër, i cili është dërguar në Spitalin Rajonal të Vlorës për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore.
Përplasja ka shkaktuar vështirësi në qarkullimin e automjeteve në këtë segment rrugor, ndërsa pritet ndërhyrja e autoriteteve për të sqaruar dinamikën e ngjarjes.
Shkaqet dhe rrethanat e aksidentit mbeten ende për t’u përcaktuar.
Njoftimi nga Policia e Vlorës
Rreth orës 18:00, në autostradën “100 Vjetori”, në drejtimin Fier–Vlorë, automjeti tip “Toyota”, me drejtues shtetasin E. L., dyshohet se, për shkak të motit të keq dhe humbjes së kontrollit mbi drejtimin e automjetit, është përplasur me një mjet tip skrep, me drejtues shtetasin Thanas Poçaj, 63 vjeç.
Si pasojë e përplasjes, ka humbur jetën në vendngjarje drejtuesi i automjetit “Toyota”, shtetasi E. L., oficer policie në DVP Vlorë.
Ndërsa shtetasi Th. P. është transportuar në spital për ndihmë mjekësore.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon punën për sqarimin e rrethanave dhe përcaktimin e shkakut të saktë të aksidentit.
