Kultura dhe traditat shqiptare do të prezantohen për herë të parë në Skoci nga Ansambli Kombëtar i Këngëve dhe Valleve Popullore, në një spektakël të veçantë që do të mbahet më 23 nëntor në Edinburg.
“Shqipëria përmes syve të Bajronit” (Albania Through Byron’s Eyes) do të ngjitet në skenën historike të Assembly Rooms, duke ndërthurur poezinë, muzikën, vallet dhe historinë shqiptare në një mbrëmje artistike që synon të sjellë më pranë publikut britanik trashëgiminë kulturore të vendit tonë.
Spektakli merr frymëzim nga udhëtimi i poetit romantik britanik Lord Bajron në trojet shqiptare, më shumë se dy shekuj më parë. I magjepsur nga peizazhet, veshjet tradicionale, karakteri dhe mikpritja e shqiptarëve, Bajroni e pasqyroi këtë përvojë në krijimtarinë e tij, duke krijuar një lidhje letrare dhe kulturore mes Shqipërisë dhe Britanisë së Madhe. Takimi i tij me Ali Pashë Tepelenën mbetet një nga episodet më të njohura të këtij udhëtimi.
Veprat e Bajronit do të interpretohen gjatë mbrëmjes nga poeti dhe autori Robert Wilton, ndërsa skena do të gjallërohet nga kostumet tradicionale dhe ritmet e folklorit shqiptar. Repertori do të përfshijë valle të njohura, mes tyre Vallja e Tropojës, Vallja e Kukësit dhe Vallja e Osman Takës, si dhe elemente artistike që sjellin atmosferën e Tepelenës dhe figurën e Ali Pashës.
Ansambli do të performojë nën drejtimin artistik të Sokol Marsit, ndërsa koreografia do të realizohet nga mjeshtri i valleve Genci Kastrati. Prezantimi i spektaklit i është besuar moderatores Suela Demiri.
Në këtë mbrëmje do të interpretojnë gjithashtu tenori Aranit Hoxha, këngëtarja Denisa Gjeso dhe valltarët Mariana Shkreta, Katerina Konini, Flavio Xhaferri, Reji Berisha, Mirjan Llapushi, Kejsi Koxhaj dhe Enkeleda Agolli. Pjesë e performancës do të jenë edhe instrumentistët e ansamblit Artan Shabani, Arbin Alimeri, Ermal Sela, Armand Ferra, Flogert Shatraj dhe Neki Kastrati.
Për shqiptarët që jetojnë në diasporë, aktiviteti synon të krijojë një lidhje me rrënjët dhe vendlindjen përmes muzikës dhe valleve, ndërsa për publikun britanik dhe ndërkombëtar do të jetë një mundësi për të njohur nga afër traditat dhe identitetin kulturor shqiptar.
Nisma organizohet nga Empowered Women of Diaspora (EWD), në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare të Diasporës dhe Teatrin Kombëtar të Operës, Baletit dhe Ansamblit Popullor, me mbështetjen zyrtare të Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit. Organizatorët synojnë që përmes këtij bashkëpunimi të forcojnë marrëdhëniet kulturore mes Shqipërisë dhe Mbretërisë së Bashkuar dhe të krijojnë mundësi për projekte të tjera artistike.
Spektakli do të zhvillohet të hënën, më 23 nëntor 2026, në The Assembly Rooms, në adresën 54 George Street, Edinburgh, EH2 2LR, Skoci.

















