Vendosni fjalën kyçe....

“Protesta është me leje” – Policia përpiqet të largojë më forcë qytetarët


Tensione dhe përplasje janë regjistruar mbrëmjen e sotme në zonën përpara Kryeministrisë, ku aktivistët janë përballur me efektivët e Policisë së Shtetit gjatë zhvillimit të protestës.

Sipas pretendimeve të protestuesve, ndërhyrja e policisë ka penguar vijimin e tubimit, megjithëse organizimi ishte njoftuar paraprakisht dhe zhvillohej me leje. Aktivistët kanë kundërshtuar veprimet e uniformave blu, duke argumentuar se roli i policisë duhet të jetë garantimi i së drejtës së qytetarëve për t’u grumbulluar dhe protestuar në mënyrë paqësore.

Situata është shoqëruar me debate të ashpra, thirrje dhe akuza drejtuar punonjësve të policisë. Disa prej pjesëmarrësve kanë shprehur pakënaqësinë për mënyrën e ndërhyrjes dhe trajtimin e personave të pranishëm në protestë.

“Protesta është e lejuar! Po kryeni vepër penale! Mos i prekni vajzat me dorë!”, ishte thirrja e njërit prej aktivistëve gjatë momentit të përplasjes me efektivët.

Gjatë ndërhyrjes, disa protestues janë ndjekur përgjatë bulevardit dhe më pas janë shoqëruar nga policia, ndërsa sipas dëshmive të aktivistëve është përdorur edhe forcë fizike. Ata kanë kundërshtuar veprimet e efektivëve, duke i konsideruar ato të pajustifikuara dhe në kundërshtim me të drejtën për zhvillimin e një proteste paqësore.