Blendi Fevziu ka shprehur kundërshtimin e tij ndaj mundësisë që godina e Teatrit të Kukullave në Tiranë të kthehet në një qendër hebraike. I ftuar në podcastin “Pjaca në Media Radar” dhe Pjaca Media, në një bisedë me Alfred Pezën, Fevziu argumentoi se ndërtesa ka një rëndësi të veçantë në historinë politike dhe institucionale të Shqipërisë dhe se destinacioni i saj duhet të lidhet me këtë trashëgimi..
BLENDI FEVZIU: Unë kam insistuar vazhdimisht dhe kam ngritur shqetësimin nëse ndodh që Teatri i Kukullave të kthehet në një qendër hebraike, siç pretendohet. E di që kjo është bërë publike dhe shpresoj që të mos ndodhë.
Nuk ka lidhje me historinë hebraike. Aty austriakët nisën të ndërtonin një shtëpi oficerësh, por përfunduan vetëm themelet. Në vitin 1920, kur qeveria e Kongresit të Lushnjës erdhi në Tiranë, pati shumë debate. Në vitin 1923, kur u kuptua se Tirana do të mbetej kryeqytet, parlamenti, me një votim unanim, vendosi që buxhetin e parë, në një kohë kur nuk kishte para, ta investonte për ndërtimin e parlamentit të parë të Shqipërisë.
Ishte godina e parë e ndërtuar me fonde publike të shtetit shqiptar. Parlamenti u hap në vitin 1925, por gjesti ishte i rrallë. Ajo duhet të jetë Muzeu i Parlamentarizmit, sepse ne kemi një histori parlamentare. Në atë parlament është shpallur Mbretëria Shqiptare, si dhe bashkimi me Italinë, kur kurora iu dorëzua Viktor Emanuelit.
Pse kjo godinë duhet të jetë qendër hebraike?


