Kreu i partisë “Shqipëria Bëhet” Adriatik Lapaj tha se Partia Socialiste i ka bërë shumë dëme vendit, dhe zgjidhja e vetme sipas tij është ndryshimi.
I ftuar në emisionin “Off the Record” në A2CNN, Lapaj vuri në dukje se protesta e ka delegjitimuar mazhorancën e Ramës dhe gjithë klasën politike të tranzicionit në Shqipëri.
“Nuk mendoj që të gjithë socialistët janë të korruptuar, por elita që e ka marrë peng PS-në dhe të majtën është e korruptuar dhe ajo sallë më tregoi qartësisht një heshtje varri, të njerëzve që e dinë edhe vet që kanë probleme me drejtësinë. Zgjidhja është ndryshimi. Ajo parti i ka bërë shumë dëme vendit”, tha Lapaj duke folur për zhvillimet në PS, pas asamblesë së mbajtur të shtunën.
“Protesta e ka deligjitimuar mazhorancën, ka deligjitimuar të gjithë klasën politike të tranzicionit shqiptar. Protesta është gjëja më e mrekullueshme që i ka ndodhur vendit tonë në 36 vite, është dëshmi e një shoqërie, që me vështirësi, por po e vret frikën. Kam parë në komisariate një sjellje te atyre të rinjve të jashtëzakonshme. Kur kam hyrë aty godina tundej. Të rinj që bërtisnin njëzëri kundër represionit dhe korrupsionit. E ardhmja është me dritë. Ka të rinj që kanë vendosur të ngrihen dhe të rebelohen kundër shtetit, kur shteti bën padrejtësi, kur shteti njësohet me korrupsionin, me të padrejtën, me kapjen nga një pakicë në kurriz të shumicës”, u shpreh ai.













