Pas më shumë se tre vjet e gjysmë hetimesh, çështja që tronditi futbollin spanjoll po i afrohet momentit vendimtar. Gjykatësja duhet të vendosë nëse do ta dërgojë Barcelonën dhe të akuzuarit e tjerë në gjyq apo do ta pushojë të gjithë çështjen ose një pjesë të saj.

Rasti Negreira po hyn në fazën përfundimtare, pasi janë përmbyllur pothuajse të gjitha veprimet hetimore. Të premten e kaluar, në Gjykatën e Udhëzimit Numër 1 të Barcelonës dëshmuan dy personat e fundit që pritej të merreshin në pyetje: Gerard Lopez, ish-trajner i Barcelonës B, dhe Toni Alonso, ish-delegat i kësaj skuadre.


Tashmë pritet vetëm dorëzimi i disa dokumenteve të kërkuara nga Real Madridi dhe digjitalizimi i materialeve të tjera. Sipas gazetës spanjolle Marca, hetimi pritet të përfundojë para fundit të vitit, pasi gjykatësja ka refuzuar kërkesat e Real Madridit dhe Prokurorisë për ta zgjatur atë edhe për gjashtë muaj të tjerë.

Pagesat prej 8.4 milionë eurosh, në qendër të hetimit

Në thelb të çështjes janë pagesat prej rreth 8.4 milionë eurosh që Barcelona i kishte bërë gjatë një periudhe prej afërsisht 18 vjetësh kompanive të lidhura me José María Enríquez Negreira, ish-zëvendëspresident i Komitetit Teknik të Gjyqtarëve në Federatën Spanjolle të Futbollit (CTA).

Sipas dokumentacionit të përmendur në vendimin gjyqësor të 10 tetorit 2023, është vërtetuar se pagesat janë kryer nga Barcelona dhe kanë përfunduar në kompani të lidhura me familjen Enríquez. Gjithashtu, është konstatuar se pagesat janë rritur ndër vite dhe kanë përfunduar në vitin 2018, kur Negreira nuk ishte më në pozitën e zëvendëspresidentit të CTA-së.

Në këtë rast janë përfshirë Negreira, djali i tij Javier, Barcelona, ish-presidentët Sandro Rosell dhe Josep Maria Bartomeu, si dhe ish-drejtuesit Albert Soler dhe Óscar Grau.

Ata janë hetuar për dyshime që lidhen me korrupsionin sportiv, administrimin e padrejtë, falsifikimin e dokumenteve tregtare dhe pastrimin e parave. Edhe Joan Laporta ishte denoncuar, por më pas u lirua nga akuzat.

Barcelona mbrohet me raportet për gjyqtarët

Argumenti kryesor i mbrojtjes së Barcelonës është se pagesat ishin bërë për shërbime konsulence dhe raporte analitike mbi gjyqtarët. Ekzistenca e këtyre raporteve është konfirmuar gjatë hetimit, ndërsa Marca ka raportuar se ka pasur qasje në disa prej tyre, ku analizoheshin gjyqtarë si Mateu Lahoz, Undiano Mallenco dhe Clos Gómez.

Prokuroria, megjithatë, nuk e konsideron këtë shpjegim të mjaftueshëm. Ajo dyshon se pagesat mund të kenë pasur për qëllim ndikimin në vendimet e gjyqtarëve ose favorizimin e Barcelonës në garat sportive.

Megjithatë, sipas raportimit të Marca-s, deri më tani nuk janë gjetur prova konkrete për ryshfet ndaj gjyqtarëve apo manipulim të ndeshjeve. Garda Civile ka marrë në pyetje më shumë se 20 gjyqtarë, të cilët kanë mohuar të kenë marrë para ose të jenë ndikuar nga Barcelona. Edhe vetë Negreira e kishte mohuar se kishte përdorur paratë për të paguar gjyqtarë.

Por një deklaratë e tij gjatë marrjes në pyetje në vitin 2021 ka ngritur dyshime. Kur ishte pyetur se përse i kishte kryer pagesat përmes njërës prej kompanive të tij, Negreira ishte përgjigjur: “Në këtë mënyrë ata siguroheshin që Komiteti i Arbitrazhit të mos merrte asnjë vendim kundër Barcelonës dhe që gjithçka të ishte neutrale”.

Negreira, për shkak të problemeve të dokumentuara të shëndetit mendor, nuk pritet të jetë në gjendje të dëshmojë në një proces të mundshëm gjyqësor.

Trajnerët nuk i përdornin raportet, Gerard López thotë të kundërtën

Një tjetër element i rëndësishëm i hetimit lidhet me përdorimin e raporteve të gjyqtarëve brenda klubit. Ish-trajnerët e ekipit të parë, Ernesto Valverde dhe Luis Enrique, kanë deklaruar se nuk ishin në dijeni të ekzistencës së tyre dhe se nuk i kishin përdorur.

Ndryshe nga ta, Gerard López, ish-trajner i Barcelonës B, ka pohuar se i kishte shfrytëzuar këto raporte, pasi sipas tij përmbanin informacione të rëndësishme për gjyqtarët.

Ndërkohë, ish-presidenti Sandro Rosell e kishte mbrojtur vendimin e klubit për të paguar për këto shërbime, duke argumentuar se ishte normale që një klub i madh të kishte në dispozicion informacione të tilla, pavarësisht nëse trajnerët vendosnin t'i përdornin apo jo.

Gjykatësja vendos për të ardhmen e çështjes

Pas më shumë se tre vjet e gjysmë hetimesh, çështja përmban disa fakte të vërtetuara, por edhe pikëpyetje që mbeten pa përgjigje.

Është konfirmuar se Barcelona ka paguar Negreiran dhe kompanitë e lidhura me të, si dhe se ekzistojnë raporte për analizimin e gjyqtarëve. Nga ana tjetër, nuk është vërtetuar se këto pagesa kanë çuar në manipulimin e ndeshjeve apo në favorizimin konkret të Barcelonës përmes vendimeve të arbitrave.

Një tjetër paqartësi lidhet me destinacionin përfundimtar të parave. Sipas raportimit të Marca-s, Negreira i kishte tërhequr ato gradualisht në para të gatshme, duke e bërë të vështirë gjurmimin e mëtejshëm të tyre.

Tashmë gjithçka është në duart e gjykatëses, e cila duhet të vlerësojë provat e mbledhura dhe të vendosë nëse ka bazë të mjaftueshme për hapjen e një gjyqi apo nëse çështja duhet të pushohet. /Telegrafi/