Blendi Klosi, i ftuar në emisionin Top Story, foli për mbledhjen e së shtunës të Asamblesë së Partisë Socialiste dhe për vendimin që përjashtoi Elisa Spiropalin nga forumet e PS-së, duke e lënë jashtë grupit parlamentar. Ai theksoi që Spiropali “nuk është shkarkuar nga partia, por nga të gjitha forumet e PS-së” dhe nuk pranoi t’i kthente një pyetje të drejtpërdrejtë Grida Dumës kur e pyeti nëse kishte votuar për këtë shkarkim. Klosi sqaroi se ishte kërkesa e Asamblesë dhe vendimi i forumeve që çuan në përjashtimin e saj.
Sipas tij, mbledhja ishte “një mbledhje rutinë për fushatën dhe organizimin tonë, mbledhje pune”, në të cilën një pjesë u zhvillua me dyer të mbyllura. Pas mbledhjes pjesëmarrësit u shpërndanë dhe nisën punën për fushatën, ndërsa diskutimi i pritshëm ishte rreth fokusit të fushatës, për të mos prodhuar lajm në gjashtë muajt që vijnë. Ai konfirmoi se u mor vendimi për të përjashtuar nga forumet e PS-së jo vetëm Elisa Spiropalin, por edhe Plarent Ndrecën.
Klosi shpjegoi se PS-ja nuk ka traditë të “shkarkojë” njerëz dhe se filozofia e partisë ka qenë e hapur, me mundësi regjistrimi edhe online. Ai përmendi se mënyra se si formohet Asambleja dhe procedura e shkarkimit janë të përcaktuara në statut: “Kjo është mënyra si formohet Asambleja, si shkarkohet është bazuar në statusin e Asamblesë, që ua jep forumeve të partisë… Kjo është përbërja si krijohet forumi i lartë i PS-së, neni 22 jep të drejtën forumeve që për arsye që i gjykon vetë Asambleja kërkon shkarkimin.”
Ai tha se ishin tre kolegë që patën diskutime dhe e gjithë Asambleja mori këtë vendim. “Në mënyrën si funksionon, u shkarkuan të dy anëtarët nga forumet, nga Asambleja e PS-së. Asambleja mbajti këtë qëndrim dhe të dy kolegët janë të shkarkuar nga forumet e PS-së, por jo nga PS-ja. Nga partia nuk kemi shkarkuar askënd”, shpjegoi Klosi.
Për pyetjen se cila ishte vija e kuqe që kaloi Spiropali, Klosi u përgjigj se “këto janë të gjitha problemet tona të brendshme” dhe se publiku duhet të dijë ku fokusohet PS-ja, duke shtuar se bëhet fjalë për organizimet e brendshme dhe për diskutimet e brendshme të partisë.
