Gjykatësi kushtetues Osman Kadriu ka bërë të ditur se në muajin dhjetor i përfundon mandati në Gjykatën Kushtetuese. Këtë e ka deklaruar sonte në emisionin “Debat në Shenja”, ku ka folur edhe për çështjen e lëndëve që ka trajtuar si gjykatës referues, por që ende presin të shqyrtohen në seancë gjyqësore.

Kadriu bëri të ditur se krahas tij, në dhjetor i përfundon mandati edhe kolegut të tij Darko, ndërsa pas dy muajsh pritet t’i skadojë mandati edhe gjykatësit Naser Ajdari.


“Edhe kolegu Darko edhe mu Osman Kadriu në dhjetor na skadon afati në Gjykatën Kushtetuese. Pas dy muajve edhe kandidatit të tretë, i skadon edhe gjykatësit të tretë Naser Ajdari i skadon afati. Atëherë çka do të ndodhë me lëndët? Jo për ato që nuk ka filluar procedura, por për ato që janë përfunduar nga gjykatësi referues. Unë si gjykatës kushtetues deri tash që i kam përfunduar lëndët ku paraqitem si gjyaktës referues, i kam dorëzuar ato lëndë, dhe ato duhet të kalojnë vetëm në seancë gjyqësore. Një prej atyre lëndëve që jam gjykatës referues është edhe landa për rastin e Hagës”, deklaroi Osmani.

Kadriu ka bërë të ditur se ka përfunduar procedurën për lëndën që lidhet me rastet e Hagës, duke vlerësuar se iniciativa e paraqitur nga Pavle Trajanov është e pabazë.

Ai tha se në raport ka përfshirë edhe petitumin, përkatësisht propozimin se si duhet të vendoset lidhur me iniciativën e Trajanovit.

“Për këtë lëndë, para pesë-gjashtë muajsh e kam përfunduar procedurën. Kam përgatitur raport në formë të shkruar dhe, në fund të raportit, siç është rregulli në Gjykatë, raporti ka edhe petitum. Petitumi është propozimi se cili duhet të jetë fati i iniciativës së paraqitur nga Pavle Trajanov. Iniciativa është pa bazë. Këtu një rrethanë shumë e rëndësishme është arsyeja pse e kam propozuar atë përfundim. E kam elaboruar me fakte dhe akte. Gjykata Kushtetuese për këtë çështje ka vendosur njëherë. Edhe në drejtësi këtë e quajmë 'res judicata', ose çështje e gjykuar”, deklaroi Kadriu.