Në Pejë është mbajtur edicioni i tretë i Peja Peace Forum, ku në fokus të diskutimeve ishte ndikimi i inteligjencës artificiale në shoqëri dhe nevoja për ruajtjen e vlerave njerëzore në zhvillimin teknologjik.

Forumi, i organizuar në Universitetin “Haxhi Zeka”, këtë vit përkon edhe me 20-vjetorin e themelimit të Rotary Club Peja, klubit të parë rotarian në Kosovë. Në ngjarje morën pjesë përfaqësues institucionalë, akademikë, ekspertë ndërkombëtarë dhe përfaqësues të shoqërisë civile.


Tema qendrore e këtij edicioni ishte “Revolucioni i Urtësisë: Vlerat njerëzore në epokën e inteligjencës artificiale”, përmes së cilës u trajtua rëndësia e gjykimit etik, dinjitetit njerëzor dhe përgjegjësisë në përdorimin e teknologjisë.


Themeluesi i Rotary Club Peja, Dr. Neshad Albani, tha se qëllimi i këtij edicioni është që zhvillimi i inteligjencës artificiale të shoqërohet me urtësi dhe përgjegjësi njerëzore.

“Po ky Forumi i Paqes sivjet, edicioni i tretë është ne e kemi emnuar edhe si revolucion i urtisë, domethënë vjen revolucioni edhe zhvillime të mëdha, mirëpo ne po dojmë me e kthy pak në urtësi, në mençuri që si të përdoret Inteligjenca Artificiale dhe për mos me tejkalu, mos me u transformu ose mos me u bartë krejt ajo çfarë njeriu bën tek makina”, tha Albani.

Ai theksoi se, pavarësisht përparimit teknologjik, nuk duhet të humben aftësitë dhe vlerat që lidhen me ndërveprimin njerëzor.

“Edhe këtu me e futë atë urtësinë, mençurinë e njeri, se si të përdoret, mirëpo duke mos e humbë kompetencën për shumë gjëra, siç e thanë edhe disa nga folësit është ajo empatia, dhimbja, kontakti, për shembull mjeku, mund të merr një skanim, mund të interpretohet një MRI apo CT,mirëpo pacienti me mjekun nuk folin”, potencoi ai.

Foto: Themeluesi i Rotary Club Peja, Dr. Neshad Albani

Albani tha se forumi ka rëndësi edhe për ndërkombëtarizimin e Pejës si qendër e diskutimeve për paqen.

“Edhe kështu që kjo konferencë sot apo ky Forum i Paqes, është shumë me rëndësi edhe shumë me rëndësi që kishim edhe folëse nga Amerika i kemi afër gjashtë nga Gjermania tre edhe kjo është një si me thënë një përvojë e re për ne dhe qëllimi jonë është që Pejën me bo që si qendër për paqe për të ardhmen”, shtoi më tej themeluesi i Rotary Club Peja.

Në kuadër të forumit, një nga çështjet e trajtuara ishte edhe përgjegjësia e institucioneve dhe organizatave në përdorimin e inteligjencës artificiale.


Glenn A. Miller, anëtar i Këshillit të Qytetit të Indios dhe përfaqësues i distriktit të kongresistit amerikan Ken Calvert, tha se institucionet duhet të përcaktojnë politika dhe procedura të qarta për përdorimin e kësaj teknologjie.

“Mendoj se politikat dhe procedurat duhet të vendosen në bazë të mundësive që paraqiten, varësisht se çfarë është çështja. Kur flasim për detyrimet morale, detyrimet etike dhe detyrimet e përdorimit të inteligjencës artificiale në formën e duhur, është përgjegjësi e secilit agjencion që do ta përdorë atë, për t'u siguruar se po merret në përmbajtjen më të mirë, duke u siguruar se është përpunuar në mënyrën e duhur, se është arritur në mënyrë ligjore dhe se është pjesë e sistemit dhe në vend, e politikave dhe procedurave të atij organizmi, për t'u siguruar se shihet vetëm nga individë të caktuar dhe pastaj shfrytëzohet për atë që është qëllimi dhe detyrimet”, tha Miller.

Ai shtoi se mbrojtja e dinjitetit, moralit dhe të drejtave të njeriut duhet të jetë pjesë e çdo politike që rregullon përdorimin e inteligjencës artificiale.

“Prandaj, mendoj se është shumë jetike që çdo organizatë të përdorë një grup rregullash dhe detyrimesh për t'u siguruar se dinjiteti, morali dhe të drejtat e njeriut merren në konsideratë dhe sigurohen se kjo është çelësi numër një i qëllimit të përdorimit të inteligjencës artificiale”, shtoi më tej ai.

Programi i forumit u zhvillua përmes tri paneleve kryesore, të cilat iu kushtuan sigurisë njerëzore, të drejtave të njeriut dhe autonomisë së agjentëve të inteligjencës artificiale.

Ngjarja u përmbyll me prezantimin dhe nënshkrimin zyrtar të Deklaratës së Pejës nga katër partnerët themelues, si shprehje e angazhimit për zhvillimin dhe përdorimin e një teknologjie që i shërben paqes dhe njerëzimit. /Telegrafi/