Tragjedi në Gjermani, tre të rinj humbin jetën në aksidentin me 9 automjete, mes viktimave dy shqiptarë 

16/11/2026 22:22

Një aksident i rëndë automobilistik në Gjermani u ka marrë jetën tre personave, mes tyre edhe dy të rinj shqiptarë nga Kosova. Ngjarja tragjike ndodhi të dielën pasdite në rrugën B311, pranë qytetit Erbach, në landin Baden-Württemberg.

Dy viktimat shqiptare janë identifikuar si Leart Morina nga Sopniqi dhe Berhan Zeka nga Pataqani i Poshtëm, të dy nga Komuna e Rahovecit.

Sipas mediave gjermane, në aksident u përfshinë gjithsej nëntë automjete. Dy drejtuesit e mjeteve, përkatësisht 18 dhe 19 vjeç, humbën jetën në vendngjarje, ndërsa një pasagjer 26-vjeçar ndërroi jetë disa orë më vonë në spital, për shkak të plagëve të marra.

Nga përplasja mbetën të plagosur edhe tre persona të tjerë, mes tyre një 26-vjeçare, e cila ndodhet në gjendje të rëndë shëndetësore.

Sipas hetimeve paraprake, dyshohet se drejtuesi 18-vjeçar humbi kontrollin e automjetit gjatë një manovre parakalimi me shpejtësi të lartë. Fillimisht, makina e tij u përplas me disa automjete të tjera dhe më pas u përplas ballazi me një automjet që po vinte nga drejtimi i kundërt.

Përplasja ishte tepër e fortë, duke shkaktuar dëme të mëdha materiale dhe duke i kthyer automjetet në një grumbull rrënojash. Në vendngjarje ndërhynë forca të shumta policie, zjarrfikësish dhe ekipesh të emergjencës. Për shkak të aksidentit, rruga B311 qëndroi e bllokuar për më shumë se 20 orë.

Lajmi për ndarjen nga jeta të dy të rinjve shqiptarë është konfirmuar edhe nga kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi, i cili u ka shprehur ngushëllimet familjeve Morina dhe Zeka. Ndërkohë, policia gjermane ka nisur hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat dhe shkaqet e aksidentit tragjik.

Top Channel